Komisioni Evropian ka paraqitur një valë të re masash kundër Rusisë, me synimin për të shtuar trysninë ekonomike e diplomatike ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.
Të hënën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri publike propozimet që përfshijnë dhjetëra banka ruse, platformat e kriptomonedhave dhe pjesëmarrjen e sportistëve e ekipeve ruse në veprimtari kulturore dhe sportive në Evropë.
Të lidhura
None found
Kjo është paketa e 22-të e sanksioneve të propozuara nga BE-ja. Për t’u zbatuar, masat duhet të miratohen nga të 27 shtetet anëtare; bisedimet mund të zgjasin disa javë dhe përmbajtja e tyre mund të ndryshojë para vendimit përfundimtar.
Von der Leyen deklaroi se synimi është të kufizohen më tej burimet financiare që përdor Rusia për të vijuar luftën.
Propozimi parashikon largimin e 60 bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT. Po ashtu, BE-ja synon të vendosë kufizime ndaj platformave të kriptomonedhave që mund të shërbejnë për shmangien e sanksioneve dhe të krijojë një task-forcë të posaçme për të vëzhguar transaksionet me kriptovaluta.
Masat përfshijnë edhe flotën në hije, përmes së cilës Moska transporton naftë dhe anashkalon kufizimet ndërkombëtare. Në listën e sanksioneve propozohet të shtohen edhe 70 anije, ndërsa cisternave ruse do t’u ndalohet hyrja në portet evropiane.
BE-ja kërkon gjithashtu kufizime për qytetarët evropianë që mbajnë poste të larta në kompani ruse dhe ndalim vizash për shtetasit rusë që kanë luftuar kundër Ukrainës.
Sipas von der Leyen, ish-luftëtarët rusë mund të paraqesin rrezik për sigurinë në vendet evropiane, ndaj nuk duhet të kenë mundësi të hyjnë lirshëm në territorin e Bashkimit Evropian.
Një pjesë tjetër e paketës synon ndalimin e simboleve ruse në aktivitetet sportive dhe kulturore që zhvillohen në Evropë, duke kufizuar më tej përfaqësimin e Rusisë në këto organizime.
Propozimet vijnë pak më shumë se një muaj pas paketës së mëparshme, e cila vuri në shënjestër afro 1,600 zyrtarë rusë dhe kompani të lidhura me industrinë e armëve. Në mesin e subjekteve të përfshira ishin ato që dyshohet se prodhojnë pjesë për dronë dhe raketa.
Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës, BE-ja ka sanksionuar më shumë se 4,700 individë dhe subjekte, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin dhe kompani të ndryshme të sektorit energjetik.






