Diplomati Agim Nesho, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka komentuar mënyrën se si Edi Rama ka ndërtuar dhe konsoliduar pushtetin e tij brenda Partisë Socialiste, duke e cilësuar këtë forcë politike si një instrument në shërbim të pushtetit personal të kryeministrit.
Sipas Neshos, që prej vitit 2012, Rama e ka trajtuar Partinë Socialiste si pronë të tij, duke larguar figurat që mund të përbënin pengesë dhe duke afruar njerëz besnikë, të cilët do t'i shërbenin pa kundërshtuar vendimmarrjen e tij.
Ai tha se në fazën e parë të marrjes së kontrollit mbi PS-në, Rama spastroi partinë nga elementët që nuk i konsideronte besnikë, ndërsa afroi njerëzit që kishte pasur pranë në Bashkinë e Tiranës dhe anëtarët e G99-së, duke i konsideruar si një brez të ri që mund t'i shërbente si mbështetje politike.
Duke komentuar goditjet ndaj figurave të ndryshme socialiste, Nesho u shpreh se Rama po përpiqet të mbajë nën kontroll çdo zë që mund të vërë në diskutim autoritetin e tij.
‘Një diskutim e kam ngritur që në fillim, që në vitin 2012: Edi Rama e mori Partinë Socialiste si kalë beteje për të konkretizuar pushtetin e tij personal.
Pra, ato që thoshte në fillimet e karrierës së tij politike, pasi u bë kryetar bashkie dhe u forcua financiarisht, e çuan në mendimin se edhe partia i përkiste atij, si një pronë personale. Ai ishte misionari, ndërsa të gjithë të tjerët nuk kishin asnjë vlerë. Si një diktator që përpiqej të krijonte një pushtet të padiskutueshëm, në valën e parë ai spastroi partinë politike.
Cilët ishin elementët kryesorë që mori me vete? Mori besnikët që kishte në bashki, si dhe G99-ën. Megjithëse kjo e fundit nuk kishte marrë as një përqindje minimale të votave, rreth 0.99%, Rama i përfshiu në parti, duke e justifikuar këtë me pretendimin se do të sillte një brez të ri. Në fakt, këtë e bëri për të afruar njerëz që t'i kishte si ushtarë.
Pra, unë bie dakord me kolegët e nderuar këtu se në atë parti ka vetëm një njeri. Ai vërtet sot ndihet i pasigurt dhe kërkon t'i vendosë të gjithë në rresht, por njerëzit që po godet i përkasin të njëjtit grup me të. Në radhë të parë, ata nuk përbëjnë ndonjë vështirësi për Ramën për t'ia lëkundur pushtetin, me përjashtim të dyshimit tim se zonja Balluku mund të ketë diçka shumë komprometuese ndaj tij.
Dyshoj se mund të bëhet fjalë për një dosje ose një përgjim që e lidh atë me krimin e organizuar, në një kohë kur sensibilizimi i komunitetit ndërkombëtar dhe i partnerëve tanë kryesorë është rritur jashtëzakonisht shumë kohët e fundit.
Detyrimi i Ramës për t'u përkulur dhe për t'u zvarritur, si në Gjykatën Kushtetuese, ashtu edhe për të shtyrë vendimin e Parlamentit për zonjën Balluku, të gjitha këto tregojnë se ai është peng i diçkaje që është siguruar në një mënyrë ose në një tjetër, por që e komprometon jo aq shumë brenda vendit, sa më tepër përpara partnerëve kryesorë ndërkombëtarë.
Tani, në lidhje me këta që po godet, dua të them një gjë: ata kanë folur vetëm atëherë kur është rrezikuar pushteti i tyre. Edhe kjo nuk ka asgjë të gabuar, por, në radhë të parë, një pjesë e tyre janë të komprometuar.
Sidomos rasti i zotit Veliaj. Ai është një njeri që ka qenë hajdut me çizme, po aq sa edhe pronari i tij, siç është Rama. Është një njeri që, me paturpësi, është përpjekur të justifikojë veprimet e tij, duke shpërdoruar fondet publike dhe duke marrë paratë e popullit për inceneratorët dhe ndërtimin e 5D-së. Është arrogant, njësoj si Rama, duke i quajtur ‘zdromsa’ bashkëqytetarët e tij e të tjera si këto.
Pra, edhe tani, në një moment të caktuar, kërkon të riciklohet sikur është një i dënuar politik. Jo! Ai ka përgjegjësi për faktin se i është bashkuar këtij klani kriminal, kësaj organizate kriminale.
Unë mendoj se vetë Rama po i godet këto figura, duke luajtur rolin e atyre perandorëve romakë që u hidhnin kufomat në arenë për të kënaqur njerëzit’, u shpreh diplomati Agim Nesho në SYRI TV.
© SYRI.net