Gazetari Armand Shkullaku, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama ndodhet në pikën më të dobët politike të karrierës së tij.
I ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, Shkullaku u shpreh se Rama se po godet çdo figurë brenda partisë që mund të vërë në pikëpyetje autoritetin e tij.
Sipas Shkullakut, dalja e mijëra qytetarëve në protesta dhe thyerja e frikës kanë ndryshuar realitetin politik në vend, duke nxjerrë në pah dobësimin e Ramës, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të fundit, ku PS siguroi 84 mandate.
Analisti theksoi se protestat kanë treguar një fuqi qytetare që më parë nuk mendohej se mund të mobilizohej në këto përmasa, ndërsa kanë zhvlerësuar edhe imazhin që kryeministri ka ndërtuar përmes propagandës dhe komunikimit publik.
“Nuk e kishim menduar që Edi Rama, pikërisht në momentin kur dukej më i fuqishëm se kurrë, me 84 mandate plus 3 të PSD-së, pra 87 mandate, të ishte sot politikani më i dobët që ka pasur ndonjëherë, me fuqinë më të dobët politike”, u shpreh Shkullaku.
Në vijim, gazetari argumentoi se e vetmja mbështetje që i garanton Ramës mundësinë për të ruajtur pushtetin dhe për të negociuar politikisht është kontrolli mbi Partinë Socialiste. Për këtë arsye, sipas tij, kryeministri nuk mund të lejojë krijimin e zërave kundërshtues brenda forcës politike që drejton.
Shkullaku u ndal te zhvillimet që përfshijnë Erion Veliajn, Elisa Spiropalin dhe Plarent Ndrecën, duke i konsideruar ato si shenja të përpjekjes së Ramës për të eliminuar politikisht këdo që i del përpara.
Ai përmendi gjithashtu reagimet e disa deputetëve socialistë, të cilët, sipas tij, kanë nisur të ngrenë pikëpyetje për qëndrimet e kryeministrit, përfshirë transferimin e Erion Veliajt dhe mënyrën se si partia duhet të pozicionohet ndaj protestave.
Sipas gazetarit, rreziku për Ramën qëndron pikërisht te krijimi i një precedenti, ku anëtarët e PS-së mund të nisin të vënë në diskutim vendimet dhe autoritetin e tij.
“Nëse shpërthen edhe një, po them, jo revoltë apo kryengritje në PS, sepse kjo nuk ka për të ndodhur kurrë, por disa lëvizje, brishtësia, frika dhe paranoja e tij do të bëhen aq të mëdha, sa mund t’ia shpejtojnë fundin”, deklaroi Shkullaku.
Ai komentoi edhe mënyrën se si, sipas raportimeve të pjesëmarrësve në mbledhjen me dyer të mbyllura të Asamblesë së PS-së, Rama ka komunikuar me anëtarët e partisë, duke e cilësuar gjuhën e përdorur si represive dhe duke theksuar se nuk u është lënë hapësirë për replikë.
Në këtë kontekst, Shkullaku solli si shembull përjashtimin e Elisa Spiropalit, duke vënë në dukje se vendimi u komunikua nga Rama pa u hedhur në votim.
Në përfundim, gazetari u ndal edhe te përgjegjësia e deputetëve socialistë përballë zhvillimeve brenda partisë, duke kritikuar faktin që, sipas tij, në PS nuk bëhet më dallim mes atyre që kanë abuzuar dhe atyre që nuk kanë kryer shkelje.
“Për mua, mendoj se është më e turpshme që në Partinë Socialiste edhe ata që nuk kanë vjedhur të marrin damkën e hajdutit. Pra, aty nuk ka më rëndësi nëse je hajduti i madh apo i vogël”, përfundoi Shkullaku.













