
Reshjet e shiut dhe borës kanë shkaktuar probleme në lëvizjen në disa zona të Bashkisë Tropojë. Në disa rrugë ka patur rrëshqitje dherash, rënie gurësh e dëmtime në disa rrugë.
Në Cërrnicë, ka patur rrëshqitje dheu në pjesën e poshtme të trupit të rrugës, duke shkaktuar deformimin dhe fryrjen e shtratit të saj.
Problematika janë evidentuar edhe në aksin rrugor Bujan–Fierzë, veçanërisht në segmentin që përshkon fshatin Gri, ku rënia e gurëve dhe e materialeve inerte në rrugë ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Në Bujan, reshjet kanë dëmtuar një segment rrugor në lagjen Vidricë, si dhe rrugën në lagjen Varg. Në fshatin Tetaj është konstatuar gjithashtu rrëshqitje dheu, e cila ka vështirësuar lëvizjen e automjeteve.
Dëme nga stuhia janë raportuar edhe në banesa. Në fshatin Leniq, në Njësinë Administrative Bytyç, banesa e shtetasit Sadri Mehmet Gjedia ka pësuar dëmtime si pasojë e erërave të forta dhe stuhisë gjatë natës.