Banorët e pesë fshatrave në zonën e Fanit, në Mirditë, prej pesë ditësh vuajnë mungesën e energjisë elektrike, si pasojë e motit të keq që ka përfshirë vendin ditët e fundit.
Sipas BW, vetë banorët kanë denoncuar se pa energji kanë mbetur fshatrat Klos, Konej, Katundi i Ri Konej, Shëngjin dhe Fahat.
Situata po krijon vështirësi të shumta për familjet, të cilat prej disa ditësh janë të detyruara të përballojnë jetën e përditshme pa energji elektrike. Mungesa e furnizimit prek jo vetëm ndriçimin, por edhe përdorimin e pajisjeve elektroshtëpiake dhe nevojat bazë të banorëve.
Banorët kërkojnë ndërhyrjen urgjente të institucioneve përgjegjëse dhe rikthimin sa më parë të energjisë elektrike, duke ngritur pikëpyetje për mungesën e një zgjidhjeje pas pesë ditësh në errësirë.













