Analisti Lorenc Vangjeli ka komentuar në emisionin “Çim Peka Live” në SYRI TV zhvillimet brenda Partisë Socialiste, duke u ndalur te panorama e drejtuesve të saj në Asamblenë e fundit.
Sipas Vangjelit, më shumë sesa fjalimet nga podiumi, ajo që tërheq vëmendjen është përbërja e sallës, ku ai sheh një portret të përbashkët të njerëzve që kanë fituar pushtet përmes funksioneve që u janë dhënë.
Vangjeli e përshkroi këtë strukturë si “Republika e Drejtorëve”, ku, sipas tij, Edi Rama ka krijuar një grup individësh që sillen si feudalë të vegjël, gjithnjë e më pak të varur nga ligji dhe gjithnjë e më shumë nga interesat e tyre.
Analisti theksoi se gjatë 13 viteve të qeverisjes, Rama ka prodhuar njerëz me pushtet që buron nga karrigia, por ka çuar pothuajse në zero autoritetin moral brenda Partisë Socialiste.
Vangjeli: Shiko ka një lidhje që është e vazhdueshme mes podiumit dhe platesë. Domethënë nga një podium ndryshe mund të flitet me njerëzit pleq, ndryshe përpara një skuadre futbolli, ndryshe mund të flitet përpara një turme. Nëse do të shikoni, gjithmonë e më shumë kështu po ndodh, më interesante se podiumi në mbledhjet e asamblesë socialiste është plateja. Po të shikoni duken se të gjithë ata kanë të njëjtin portret dhe kjo na nxjerr në një nga problemet më të mëdha. Rama tashmë e ka kuptuar që përballë ka në shumicë homologë të tij, kryeministrat e Republikës së Drejtorëve, ca feudalë të vegjël të cilët kanë atë ngastrën e tyre në të cilën ndihen të gjithëpushtetshëm, gjithmonë e më pak të varur nga ligji dhe gjithmonë e më shumë interesit. Në këto 13 vite ai ka prodhuar njerëz apo më saktë shumë individë me pushtet që u buronte nga karrigia, nga funksioni që u jepte por ka rënë dhe ka çuar në pikën zero, pothuajse zero, njerëzit me autoritet moral në atë parti.
© SYRI.net