Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen si dy vendet e Ballkanit Perëndimor me perspektivën më të afërt për anëtarësim në Bashkimin Europian, me mundësinë për të përmbyllur kapitujt e negociatave dhe për të kaluar në fazën e hartimit të traktatit të anëtarësimit. Këto vlerësime u shprehën nga ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, pas takimit të ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” më 23 nëntor në Athinë.
Blanar u referua premtimit të Bashkimit Europian në Samitin e Selanikut para 23 vjetësh dhe vlerësoi se rajoni po i afrohet një zhvillimi të rëndësishëm, me mundësinë që vendet e para të Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e unionit. “Jemi tani në një moment historik kur mund të arrijmë anëtarësimin e të paktën dy vendeve të tjera, që janë mjaftueshëm të përgatitura për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave dhe për të kaluar te traktati i anëtarësimit, përkatësisht Mali i Zi dhe Shqipëria”, deklaroi Blanar.
Sipas tij, zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishte i rëndësishëm për qytetarët e rajonit, pasi do të dëshmonte se perspektiva europiane nuk është thjesht një premtim, por një objektiv i realizueshëm. Për më tepër, procesi do të ndikonte në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Europë.
Në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor, i parashikuar për 25 nëntor në Bruksel, Blanar theksoi se procesi i zgjerimit po merr gjithnjë e më shumë karakter politik. Ai nënvizoi se përparimi i vendeve kandidate nuk varet më vetëm nga përmbushja e kritereve teknike, por edhe nga vullneti dhe konsensusi politik i vendeve anëtare.
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë bëri thirrje që konflikte dhe mosmarrëveshje dypalëshe të së kaluarës të mos pengojnë rrugëtimin europian të vendeve kandidate. “Çështjet e ndryshme që vijnë nga e kaluara dhe që mbeten ende të pazgjidhura duhet të zgjidhen në tryezën e negociatave në Bruksel. Ky është edhe qëllimi i integrimit, të forcohemi dhe të ndërtojmë një bashkësi të aftë për t’u përballur me sfida të ndryshme”, deklaroi Blanar.
