Ditët më të shkurtra dhe ekspozimi më i pakët ndaj diellit gjatë dimrit mund të ndikojnë në prodhimin e vitaminës D në organizëm. Kjo vitaminë luan një rol të rëndësishëm në shëndetin e kockave dhe muskujve, por edhe në funksionimin e sistemit imunitar.

Sipas dietologes dhe nutricionistes Katie Sanders, vitamina D ndihmon trupin të përthithë kalciumin dhe fosforin, dy minerale thelbësore për shëndetin e kockave. Ajo gjithashtu ndikon në mënyrën se si funksionon sistemi imunitar.

E njohur ndryshe si “vitamina e diellit”, burimi kryesor i saj është ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj rrezeve të diellit. Gjatë pranverës dhe verës, koha e kaluar jashtë zakonisht i mundëson organizmit të prodhojë sasinë e nevojshme. Megjithatë, gjatë dimrit, ekspozimi më i kufizuar ndaj rrezeve ultraviolet (UV) mund të çojë në rënien e niveleve të saj.

Mungesa e vitaminës D nuk duhet neglizhuar. Sipas Shërbimit Kombëtar Shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar (NHS), te fëmijët ajo mund të shkaktojë deformime të kockave, si rakitizmi, ndërsa te të rriturit mund të çojë në osteomalaci, një gjendje që shoqërohet me dhimbje të kockave.

Sa vitaminë D duhet të marrim në ditë?

Sipas rekomandimeve të NHS, fëmijët mbi një vjeç dhe të rriturit duhet të marrin 10 mikrogramë vitaminë D në ditë. E njëjta sasi rekomandohet edhe për gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë foshnjat me gji, si dhe për personat që kanë rrezik për mungesë të kësaj vitamine.

Për foshnjat nën një vjeç, sasia e rekomanduar varion nga 8.5 deri në 10 mikrogramë në ditë.

Edhe pse rrezet e diellit mbeten burimi kryesor, disa ushqime mund të ndihmojnë në plotësimin e nevojave ditore të organizmit. Katie Sanders veçon katër prej tyre:

  1. Salmoni

Salmoni renditet ndër burimet më të pasura natyrore të vitaminës D. Sipas British Heart Foundation, 100 gramë salmon i gatuar në avull përmbajnë rreth 9.3 mikrogramë të kësaj vitamine.

Përveç vlerave ushqyese, konsumimi i peshkut yndyror si salmoni disa herë në javë mund të jetë i dobishëm edhe për shëndetin e zemrës. Ai mund të përgatitet në furrë, në tigan ose i zier.

  1. Skumbri

Një tjetër peshk që përmban sasi të konsiderueshme të vitaminës D është skumbri. Sipas British Heart Foundation, 100 gramë skumbri i pjekur në skarë përmbajnë mesatarisht 8.5 mikrogramë.

Për ata që kërkojnë një alternativë më ekonomike ndaj salmonit, skumbri i konservuar mund të jetë një zgjedhje e mirë.

  1. Vezët

Vezët janë një tjetër produkt që mund të përfshihet lehtësisht në menunë e përditshme. Sipas British Heart Foundation, një vezë përmban rreth 1.7 mikrogramë vitaminë D.

Ato mund të konsumohen në mëngjes, si një vakt i lehtë gjatë ditës apo të përfshihen në receta të ndryshme. Dietologia sugjeron vezë të ziera për mëngjes ose si mesvakt, si dhe omëletë për drekë.

  1. Ushqimet e pasuruara me vitaminë D

Në shumë produkte që gjenden në supermarkete, veçanërisht në kategorinë e bulmetit dhe drithërave të mëngjesit, vitamina D shtohet gjatë procesit të prodhimit.

Qumështi me bazë bimore, drithërat e mëngjesit, kosi dhe disa produkte të tjera të përhapura në treg mund të jenë të pasuruara me këtë vitaminë. Për këtë arsye, këshillohet të kontrolloni etiketat ushqimore për të parë nëse produktet përmbajnë vitaminë D të shtuar.

A mjafton ushqimi për të marrë sasinë e nevojshme?

Sipas Sanders, vetëm ushqimi mund të mos jetë i mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e organizmit për vitaminën D. Sasia që merret përmes produkteve ushqimore është e kufizuar, ndërsa pjesa më e madhe e vitaminës D prodhohet nga vetë trupi përmes ekspozimit ndaj diellit.

Për këtë arsye, gjatë muajve të dimrit, kur ekspozimi ndaj rrezeve të diellit është më i pakët, mund të merret në konsideratë përdorimi i suplementeve të vitaminës D, në përputhje me rekomandimet shëndetësore.

Personat që dyshojnë se kanë mungesë të kësaj vitamine duhet të konsultohen me mjekun, i cili mund të rekomandojë një analizë gjaku për të kontrolluar nivelet e saj.

Në rastet kur mungesa është e theksuar, mjeku mund të përshkruajë suplemente me doza më të larta për të rikthyer nivelet e vitaminës D në normë.