Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka komentuar diskutimet për kandidatin e opozitës në zgjedhjet lokale në Tiranë, duke konfirmuar se Ilir Alimehmeti rezulton si figura me kredibilitetin më të lartë në sondazhet e zhvilluara nga PD.
I ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, Gjoni theksoi se Partia Demokratike nuk ka ndërmend të imponojë një kandidat ndaj forcave të tjera opozitare, por kërkon që emri përfundimtar të dalë përmes konsensusit.
Sipas tij, kreu i PD-së ka zhvilluar takime me partitë opozitare, ndërsa synimi duhet të jetë bashkimi i të gjitha forcave përballë kryeministrit Edi Rama.
Deputeti demokrat kundërshtoi idenë që partitë e vogla opozitare të diktojnë vendimmarrjen e Partisë Demokratike, duke theksuar se bashkëpunimi duhet të bazohet te respekti reciprok dhe jo te kushtet.
Gjoni nënvizoi se largimi i Edi Ramës kërkon bashkimin e opozitës dhe se zgjedhjet lokale duhet të shërbejnë si një test i rëndësishëm për zgjedhjet e përgjithshme.
“Ilir Alihmehmeti rezulton si personi që ka kredibilitetin më të madh nga sondazhet e PD. Padyshim që PD po të ishte për ta shpallur kandidaturë vetëm mbi bazën e këtyre e kishte shpallur. Tani sipas kësaj që thoni ju, PD duhet të pyesë të gjithë partitë e tjera. PD është ulur , kryetari i PD i ka thirrur të gjitha partitë opozitare. Problemi është që një parti që ka 35 mijë votues nuk mund t’i vendosë një partie që ka 600 mijë votues. Unë e kam thënë, ne nuk i vëmë kushte një partie se kë ka kryetar partie. As zotin Shehajj apo Lapaj apo dikë tjetër. Dhe ata nuk mund të na përcaktojnë ne kryetarin e partisë. Ne kërkojmë largimin e Edi Ramës, dhe ai largohet duke u bashkuar. Nëse zgjedhjet lokale janë një test për zgjedhjet e përgjithshme duhet të fitojmë. Dhe si fitohet? Duke u bashkuar të gjithë. Dhe hajdeni të gjejmë një konsensus. Nëse kandidati që paraqitet nga partitë e tjera ka një konsensus më të madh se sa kandidati që paraqitet nga PD, patjetër, sepse nuk ka thënë PD që dua këtë o s’ka”, tha ai.
