Ka përfunduar afati katërjavor për procedimin e raportit lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së sotme të Kryesisë, tha se Kryesia e Kuvendit ka kërkuar opinion nga drejtoria ligjore për veprimet e mëtejshme, pasi Rregullorja e Kuvendit nuk parasheh pasoja në rast të tejkalimit të afatit.
Skadon afati për Specialen, Kryesia e Kuvendit kërkon opinion ligjor për hapat e mëtejshëm
“Sa i përket ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, kryesia e Kuvendit ka kërkuar opinion për veprimin e radhës, shkak të rregullores së kuvendit, pas kthimit të një ligji, komisioni përkatës ka katër javë për të proceduar raportin. Afati ka përfunduar dhe nga drejtoria ligjore është kërkuar se çka ndodhë nëse afati kalohet, sepse e dini që nuk parashihet ndonjë pasojë se çka ndodhë nëse nuk kemi një vendim sipas afateve”, tha Haxhiu.
Ajo foli edhe për procedimin e draftit të ri gjatë kësaj jave, duke theksuar se përmbajtja e tij do të diskutohet pasi të procedohet. Haxhiu theksoi se pengesat lidhur me këtë çështje kanë qenë vetëm të natyrës procedurale dhe jo përmbajtësore.
Haxhiu flet për draftin e ri për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara
“Sipas informacioneve që i kam, një nismë e re do të procedohet brenda kësaj jave, se çka përmban ajo do të diskutojmë kur ajo të procedohet. Duhet ta theksoj se në raport me këtë çështje nuk kemi pasur ndonjë problem përmbajtësorë, çështjet kanë qenë plotësisht të natyrës procedurale. Do të ketë një draft të ri në raport me çështjen e vendimit të padrejtë të Gjykatës Speciale”, tha Haxhiu.
Ndërkohë, Haxhiu paralajmëroi se Kuvendi së shpejti do të angazhojë një mekanizëm institucional që do të merret me mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale.
Ajo tha se grupi punues po vazhdon hartimin e strategjisë, ndërsa kritikoi Avokatin e Popullit pranë Gjykatës Speciale, duke vlerësuar se nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij.
Haxhiu paralajmëron mekanizëm institucional për mbikëqyrjen e të drejtave të njeriut
“Sa i përket draftit të strategjisë, natyrisht se grupi punues po punon, Kuvendi aty është i përfaqësuar, përveç grupeve parlamentare, edhe unë kam deleguar përfaqësuesin në këtë grup. Puna po vazhdon, shumë shpejt do ta kemi strategjinë. Puna e Kuvendit këtu është shumë i rëndësishëm për shkak të mekanizmit mbikëqyrës. Gjithmonë kemi folur për shkeljen e të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale, fatkeqësisht Avokati i Popullit atje nuk e ka kryer punën e tyre. Këtë çështje e kam ngritur edhe kur kam qenë ministre e Drejtësisë, nuk ka pasur asnjëherë reflektime. Kuvendi shumë shpejt do të angazhojë institucion mekanizëm që do të merret me këtë përgjegjësi”, tha Haxhiu.


























