PSG pritet të ndërhyjë në merkato, milionat e kampionëve të Evropës ‘ngjallin panik’

23/11/2026 23:44

Paris Saint-Germain pritet të jetë, nëse nuk ndodh ndonjë surprizë, protagonisti kryesor i merkatos së ardhshme dimërore, e cila do të hapet më 1 janar. Kampionët e Evropës janë të detyruar të përforcojnë skuadrën pas konfirmimit të dëmtimit të rëndë të Désiré Doué, i cili ka pësuar këputjen e ligamentit të kryqëzuar anterior në gjurin e djathtë. I njëjti dëmtim që e detyroi Kvaratskhelian t’i japë fund sezonit një muaj më parë.

Të dy janë lojtarë kyç për Luis Enriquen, të cilin PSG-ja e ka kontaktuar tashmë për ta informuar mbi synimin e klubit për të ndërhyrë në tregun evropian në kërkim të përforcimeve. Edhe pse skuadra nuk e ka ndier shumë mungesën e sulmuesit anësor gjeorgjian, mungesa e tij në Champions League, ashtu si edhe ajo e Doué, mund të kthehet në një problem serioz duke nisur nga faza e 1/8-ave të finales.

Megjithatë, PSG-ja ka alternativa më se të mjaftueshme për të përballuar mungesën e dy lojtarëve, të paktën deri në hapjen e merkatos dimërore. Mika Godts, i afruar për 50 milionë euro, mori më shumë përgjegjësi në mungesë të Kvaratskhelias, ndërsa përmirësimi i tij gjatë muajit të fundit ka qenë i dukshëm. Megjithatë, shenjat pozitive ende nuk kanë mjaftuar që belgu të fitojë një vend të qëndrueshëm në formacionin titullar. Paraqitjet e tij vijojnë të ngrejnë pikëpyetje në Paris dhe për këtë arsye, klubi francez mund të synojë afrimin e një lojtari me profil tjetër gjatë merkatos, për të plotësuar repartin ofensiv. Një tjetër lojtar që pritet të marrë më shumë përgjegjësi është Ferran Torres. Të shtunën e kaluar, në transfertën ndaj Nicës, sulmuesi i kombëtares spanjolle i dha fund një serie prej dhjetë ndeshjesh pa shënuar gol. Ai është një futbollist që kalon periudha me formë të ndryshme. Në gjashtë ndeshjet e para në kryeqytetin francez, realizoi shtatë gola, por më pas kaloi 62 ditë pa e gjetur rrugën e rrjetës. Edhe pse gëzon besimin e plotë të Luis Enriques, i cili ishte mbështetësi kryesor i transferimit të tij, pikëpyetjet lidhen me aftësinë e tij për të ruajtur të njëjtin ritëm edhe në ndeshjet e mëdha.

Ferran ka një muaj e gjysmë kohë për të larguar dyshimet e drejtuesve të PSG-së në prag të merkatos dimërore. Nëse rikthehet në nivelin e tij më të mirë, klubi do të përballet me një dilemë: të ndërhyjë në merkato apo të ruajë besimin e plotë te grupi aktual i lojtarëve. Një tjetër futbollist që mund të përfitojë nga kjo valë dëmtimesh është Mayulu. I grumbulluar së fundmi nga Zidane për kombëtaren e parë të Francës, talenti i dalë nga akademia e klubit është konsoliduar si sulmuesi qendror titullar i skuadrës që mban aktualisht titullin e kampionit të Evropës për të dytin sezon radhazi. I fuqishëm në zonën kundërshtare, i gjithanshëm dhe inteligjent në shfrytëzimin e hapësirave, ai ka fituar besimin e plotë të Luis Enriques në repartin ofensiv.

Merkatoja dimërore zgjon kujtime të mira te PSG-ja. Në vitin 2024, klubi shpenzoi 70 milionë euro për të siguruar shërbimet e Kvaratskhelias dhe gjeorgjiani, tashmë i dëmtuar, u shndërrua në një nga lojtarët kyç në dy triumfet radhazi të skuadrës franceze në Champions League.Megjithatë, politika e ndjekur nga Katari, në marrëveshje me Luis Enriquen, ka ndryshuar. Në të kaluarën, PSG-ja kryente transferime duke shpenzuar shuma të mëdha, ndërsa tani, për të finalizuar një përforcim, duhet të plotësohen dy kushte: lojtari që klubi ka vënë në monitorim të shprehë qartë dëshirën për t’u larguar nga skuadra aktuale dhe çmimi i tij të mos jetë i tepruar.Megjithatë, kostoja e transferimit nuk do të përbëjë pengesë për Katarin. Mes profileve që po shqyrtohen për të zëvendësuar Doué dhe Kvaratskhelian figurojnë një sërë futbollistësh të nivelit të lartë. Njëri prej favoritëve për t’u transferuar në Paris është Antonio Nusa i Leipzigut. Aftësia e tij për të depërtuar me topin në këmbë, agresiviteti në driblime dhe paraqitjet e shkëlqyera si në futbollin gjerman, ashtu edhe me kombëtaren norvegjeze, e bëjnë atë një profil ideal për të plotësuar nevojat e PSG-së.

Abde, Prestianni, Luis Díaz…

Abde, klauzola e të cilit të lirimit është 60 milionë euro, mund të jetë një alternativë më ekonomike për drejtuesit e klubit. Prestianni i Benficas, Maza, një prej talenteve më premtues të futbollit evropian, i cili ka spikatur tashmë me Leverkusenin, Luis Díaz dhe Estevao janë emra të tjerë që Luis Campos dhe Luis Enrique kanë në listën e tyre të kandidatëve. Madje, as Nico Williams, të cilin Lucho e kërkoi me ngulm në verën e dy viteve më parë, përpara se lojtari të rinovonte kontratën me Athletic Bilbaon, dhe as Julián Álvarez, futbollisti për të cilin PSG ishte interesuar përpara se të vendoste të transferonte Ferran Torresin, nuk mund të përjashtohen si alternativa të mundshme për përforcimin e skuadrës. Klubet tashmë janë në dijeni të situatës në të cilën ndodhet skuadra  kampione e Evropës, e goditur rëndë nga dy dëmtime të ligamentit të kryqëzuar anterior, të cilat e kanë detyruar klubin të rishqyrtojë gjatë orëve të fundit nëse duhet të ndërhyjë apo jo në merkaton e transferimeve. Luis Enrique nuk dëshiron të marrë vendime të nxituara. Politika e tij e transferimeve, që i ka sjellë kaq shumë sukses që prej mbërritjes në Paris në vitin 2023, është karakterizuar nga afrimi i pak lojtarëve dhe shmangia e shpenzimeve të tepruara. Pikëpyetja e madhe është nëse me grupin aktual të lojtarëve do të jetë në gjendje të fitojë për herë të tretë radhazi Champions League dhe të barazojë rekordin e Real Madridit.

Top Channel