Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryesia e Kuvendit mban mbledhje, cakon seancat e radhës

Kryesia e Kuvendit  - 23 nentor 2026

Foto: Driton Paçarada

Kryesia kërkon opinionin ligjor lidhur me afatet për procedimin e Ligjit për Specialen pas dekretit të presidentes

13 o. më parë / 23 nën 2026 13:34
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se kanë kërkuar opinion ligjor nga Zyra Ligjore për hapat e radhës pas kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend nga presidentja Justina Shiroka-Pula. 

Sipas saj, kanë kërkuar që të kenë sqarime se çfarë do të ndodhë nëse afati për rrëzim të vetos së presidentes për Ligjin tejkalohet.

“Sa i përket ligjit për Dhomat e Specializuara që është rikthyer nga presidentja, ne si kryesi e kuvendit kërkuam një opinion në raport me veprimin e radhës sepse sipas rregullores së kuvendit, pas kthimit të një ligji në Kuvendin e Kosovës, komisioni përkatës i ka katër javë për ta proceduar raportin në seancën plenare. Ky afat tashmë ka përfunduar dhe nga personat përgjegjës, përkatësisht nga drejtoria ligjore kemi kërkuar se çka ndodhë në rrethanat në qoftë se ky afat kalohet. Sepse besoj e dini që nuk parashihet ndonjë pasojë se çka ndodhë nëse nuk kemi një vendim në raport me afate”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se në raport me Ligjin për Specialen nuk ka pasur probleme përmbajtjesore por kanë qenë kryesisht mospajtime të natyrës procedurale.

“Sipas informacioneve që unë kam një nismë e re ndërlidhur me këtë do të procedohet brenda kësaj jave, se çka përmban ajo do ta diskutojmë kur ajo të procedohet. Por duhet të theksoj se në raport me këtë çështje nuk kemi pasur ndonjë problem përmbajtjesor. Çështjet kanë qenë krejtësisht të natyrës procedurale. Ato besoj që do të tejkalohen, dhe do të ketë  një draft të ri në raport me çështjen e vendimit të padrejtë të Gjykatës Speciale”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka njoftuar gjithashtu se në mbledhjen e Kryesisë është vendosur që të enjten të mbahen dy seanca. Nga ora 10 do të mbahet vazhdimi i seancës, ndërkaq nga ora 13 do të mbahet seance e re plenare.

Çitaku: Ka unitet politik për Ligjin për Specialen, UÇK-ja na bashkon me Lëvizjen Vetëvendosje

13 o. më parë / 23 nën 2026 13:17 Nga: Valbona Bytyqi
Vlora Çitaku

Photo: Driton Paçarada

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se ka një unitet politik e qytetar për nismën e re ligjore për Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, e cila sipas saj brenda javës d të procedohet në Kuvend. 

Ajo ka thënë se përkundur dallimeve të mëdha që kanë si parti me Lëvizjen Vetëvendosje, është Ushtria Çlirimtare e Kosovës ajo që i bashkon. 

“Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundërshtari ynë politik edhe ditën kur e kemi proceduar ligjin edhe ditën kur e kemi miratuar, është edhe sot, por përkundër hendekut të madh mes nesh dhe dallimeve të thella politike që kemi në qeverisje, UÇK-ja është një vlerë që na bashkon të gjithëve”, është shprehur Çitaku, në një deklarim për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

“Brenda kësaj jave do të procedojmë në Kuvend nismën e re ligjore për Dhomat e Specializuara. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo nismë gëzon unitetin e plotë politik e qytetarë në Kuvendin e Kosovës”, ka shtuar Çitaku.

Ajo ka thënë se është shumë e rëndësishme që kjo nismë tashmë nuk është vetëm nismë e PDK-së por se e ka vulën e institucioneve të Kosovës. 

Çitaku ka thënë se ekspertët janë duke bërë ndërhyrjet e fundit dhe se beson që sot do ta pranojnë një draft të parë e brenda javës do të procedohet si nismë ligjore në Kuvend. 

Aleanca kërkon që Kurti të thirret në interpelancë për Dialogun strategjik me SHBA-në

14 o. më parë / 23 nën 2026 12:52 Nga: Valbona Bytyqi
Besnik Tahiri

Photo: Driton Paçarada

Aleanca ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti të thirret në Interpelancë për Dialogun strategjik më Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se meqë Kurti nuk do të jetë këtu këtë të enjte interpelanca është shtyrë për seancën e radhës. 

“Aleanca ka pasur një interpelancë për kryeministrin Kurti, që ndërlidhet me kërkesën tonë për të diskutuar dialogun strategjik me SHBA-në”, është shprehur Tahiri.

Sipas Tahirit kjo interpelancë nënkupton kërkesë për një punë shumë më të madhe për rikthimin e procesit të Dialogut strategjik Kosovë-Amerikë.

Tahiri ka thënë se e shohin si jetik forcimin e subjektivitetit të Kosovës, forcimin e institucioneve të Kosovës në rrafshin e brendshëm si dhe rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në.

“Nëse kjo nuk do të ndodh, procesi integrues i Kosovës e në veçanti ai në NATO, procesi i njohjeve të reja, procesi i angazhimit të administratës Trump e në veçanti të marrëdhënieve Kosovë-SHBA, realisht do të jetë bukur problem”, ka theksuar Tahiri.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën më 12 shtator 2025. Përmes një deklarate zyrtare të lëshuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, Uashingtoni bëri të ditur se ky vendim erdhi si pasojë e drejtpërdrejtë “e vendimeve të njëanshme politike të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës pa koordinim”.

Të enjten seancë

14 o. më parë / 23 nën 2026 12:44
Jehona lushaku sadriu

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës., Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se seanca është caktuar të ënjten ndërkaq për pyetjet parlamentare ajo ka thënë se do të ketë një seancë të veçantë, e cila mund të mbahet të premten.

Lushaku-Sadriu ka treguar se në Komisionin për Integrim Evropian ka kërkuar sqarime nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, lidhur me interpretimin e këngës nacionaliste serbe të lëshuar në Forumin e Zgjerimit në Bruksel e gjithashtu edhe për mosftesën ndaj institucioneve të Kosovës në këtë forum.

“Ne kemi ftuar kryesuesin ose udhëheqësin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, nga i cili kemi adresuar një kërkesë të qartë: një sqarim me shkrim dhe kërkimfalje nga institucionet e Bashkimit Evropian për mospjesëmarrjen e Kosovës, institucioneve të Kosovës, në Forumin e Zgjerimit. Një incident në fakt, edhe për mospjesëmarrje, edhe sa i përket këngës me motive nacionaliste, e që është komplet në kundërshtim me qëndrimet dhe synimin e Bashkimit Evropian”, shtoi.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së ka theksuar se kërkesa e tyre është që sqarimi të vijë nga nivelet më të larta politike të Bashkimit Evropian.

Ajo ka bërë të ditur se i ka adresuar tri kërkesa komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duke kërkuar shpjegime për mënyrën e përzgjedhjes së këngës, përjashtimin e Kosovës nga Forumi i Zgjerimit, si dhe kriteret e përzgjedhjes së shteteve pjesëmarrëse.

“I kam adresuar tri kërkesa ndaj komisioneres Marta Kos për sqarim, edhe për mënyrën se si është selektuar ajo këngë, por edhe për mospjesëmarrjen e Kosovës, si dhe përzgjedhjen e shteteve në Forumin e Zgjerimit. Kërkojmë që të kemi një sqarim me shkrim nga nivelet më të larta politike”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.