Një aksident tragjik me pasojë vdekjen e një këmbësori është regjistruar mbrëmjen e të hënës në aksin e rrugës kombëtare Elbasan-Peqin, në afërsi të fshatit Papërr.
Sipas informacionit paraprak zyrtar të Policisë, një automjet me drejtues një 21-vjeçar, të identifikuar me inicialet O. M., ka aksidentuar një këmbësor rreth 60 vjeç.
Përplasja ka rezultuar fatale për këmbësorin, i cili ka humbur jetën në vendngjarje, si pasojë e plagëve të marra.
Një tjetër element që e bën edhe më të rëndë këtë ngjarje është fakti se viktima, një burrë rreth 60 vjeç, nuk është identifikuar ende nga autoritetet.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në procesin e dokumentimit të plotë të aksidentit dhe po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë ngjarje tragjike, si dhe për identifikimin e viktimës.
Deri në këto momente nuk ka një konkluzion zyrtar mbi shpejtësinë e automjetit apo faktorët e tjerë që mund të kenë ndikuar në ndodhjen e aksidentit.
