Gjashtë komisione parlamentare mblidhen të martën, në rend dite buxheti, projektligje dhe raporte
Gjashtë komisione parlamentare do të mbajnë mbledhje të martën, më 24 nëntor, në të cilat do të shqyrtojnë raporte dhe projektligje.
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion do të shqyrtojë Raportin Vjetor të Punës së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për vitin 2025. Në këtë mbledhje është ftuar Bordi i ZRRE-së.
Ndërkaq, Komisioni për Shëndetësi do të diskutojë raportin me shkrim të Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), lidhur me listat e pritjes në institucionet e kujdesit shëndetësor dytësor dhe tretësor, furnizimin me barna nga lista esenciale gjatë vitit 2026 dhe furnizimin me pajisje medicinale. Po ashtu, do të shqyrtojë formimin e grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse.
Në rend dite të Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është shqyrtimi i listës së kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes do të shqyrtojë Projektligjin për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, sipas fushëveprimit të tij. Gjithashtu, do të shqyrtojë vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës.
Edhe Komisioni për Arsim dhe Shkencë do të shqyrtojë Projektligjin për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2027, në pjesën që lidhet me fushëveprimtarinë e këtij komisioni.
Ndërsa, Komisioni për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport do të shqyrtojë Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2025. Në këtë mbledhje është ftuar ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi.
Ndërkaq, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit do të shqyrtojë raportet me amendamente për pesë projektligje që lidhen me sistemin e drejtësisë: Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës; Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës; Projektligjin për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; si dhe Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë.
Ky komision do të shqyrtojë edhe aplikacionet e kandidatëve për zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe aplikacionet për pozitën e drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Mbledhjet e komisioneve do të mbahen në Kuvendin e Kosovës, duke filluar nga ora 10:00 dhe deri në orët e pasdites.















