Ministri i Jashtëm grek, Jorgos Gerapetritis, vlerësoi arritjet e Maqedonisë së Veriut në transformimin digjital, përafrimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, si dhe reformën e administratës publike. “Urime, i dashur Timço”, u shpreh ai në takimin ministror të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, duke folur për përparimin e vendeve kandidate për në Bashkimin Evropian, njoftoi AIM.
Gerapetritis është nikoqir i takimit ku janë mbledhur ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve anëtare të BE-së dhe gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Në mesin e pjesëmarrësve është edhe Timço Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. Marta Kos, eurokomisionere për Fqinjësi dhe Zgjerim, gjithashtu merr pjesë, ndërsa Kaja Kallas, nënkryetare e Komisionit Evropian dhe përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, nuk mundi të udhëtonte drejt Athinës për shkak të grevës së trafikut ajror në Belgjikë.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës hyrëse në seancën plenare, Gerapetritis u ndal te momentumi i procesit të integrimit evropian për vendet e rajonit. Ai nënvizoi se ky ritëm duhet të ruhet, të shfrytëzohet dhe të marrë më shumë forcë.
Shefi i diplomacisë greke tha se e mirëpret pjesëmarrjen dhe interesimin për takimin. Ai rikonfirmoi gjithashtu përkrahjen e Greqisë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, të nisur me Agjendën e Selanikut në vitin 2003.
Ruajtja e dinamikës së zgjerimit është tema e sesionit. Sipas Gerapetritis, ajo tashmë është e pranishme, siç tregojnë diskutimet intensive që po zhvillohen në prag të zgjerimit të ardhshëm. Bisedimet, tha ai, përqendrohen te zgjidhjet institucionale që nevojiten dhe te mënyrat për t’i dhënë mbështetje të mëtejshme rrugëtimit evropian të partnerëve.
Ai theksoi se rajoni do të përfitojë nga ndikimi transformues i procesit të anëtarësimit. Integrimi në Bashkimin Evropian, sipas tij, “do të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e vetë Unionit”.
Gerapetritis e përshkroi Ballkanin Perëndimor si një zonë me rëndësi të veçantë gjeopolitike, të vendosur mes Evropës Lindore dhe Mesdheut Lindor, dy rajone që, siç tha, janë fatkeqësisht vatra të krizave ndërkombëtare.
“Ballkani Perëndimor është i domosdoshëm për përmbylljen e unitetit politik të kontinentit tonë dhe për krijimin e vazhdimësisë gjeografike të Bashkimit Evropian. Vendet e rajonit janë fqinjët tanë të drejtpërdrejtë, me të cilët ndajmë sfida dhe një të ardhme të përbashkët. Prandaj, momentumi duhet mbajtur dhe forcuar më tej”, përfundoi kryediplomati grek.








