Sulmi ukrainas ndaj anijes ruse në Libi hap një front të ri në përplasjen mes dy vendeve
Një sulm me dronë detarë nga forcat ukrainase ndaj një anijeje luftarake ruse në brigjet lindore të Libisë, të dielën, ka shtrirë luftën mes Rusisë dhe Ukrainës në një tjetër front, mijëra kilometra larg Evropës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se korveta e marinës ruse është fundosur në Detin Mesdhe, pranë brigjeve të Bengazit, në lindje të Libisë, ku ndodhet njëra nga dy administratat rivale të vendit.
Sipas zyrtarëve ukrainas, sulmi u krye nga forcat detare ukrainase, të cilat kanë operuar në mënyrë të fshehtë në Libinë perëndimore, me mbështetjen e qeverisë tjetër rivale të vendit, raporton AP.
Qeveria me seli në Bengazi është aleate e Rusisë, e cila është furnizuese e rëndësishme e armëve për Khalifa Hifterin. Forcat e tij, të njohura si Ushtria Kombëtare Libiane, kontrollojnë pjesën lindore dhe jugore të Libisë.
Zyrtarët ukrainas e kanë mbrojtur sulmin në territorin detar të një shteti të tretë, duke e cilësuar anijen ruse si objektiv legjitim ushtarak. Sipas tyre, operacioni është në përputhje me interesat strategjike të Ukrainës për të dobësuar ekonominë ruse gjatë luftës dhe për të goditur interesat e Moskës jashtë vendit. Ata kanë folur në kushte anonimiteti, pasi nuk ishin të autorizuar të deklaronin publikisht për mediat.
Ky nuk është rasti i parë kur Ukraina përdor territorin e Libisë për të sulmuar anijet ruse. Në muajin mars, dronët detarë ukrainas goditën dhe dëmtuan rëndë një cisternë me flamur rus, e cila transportonte gaz natyror të lëngshëm pranë ujërave të Maltës.
Megjithatë, sulmi i së dielës përbën një përshkallëzim të mundshëm të operacioneve ukrainase kundër interesave ruse jashtë vendit.
Libia, një tjetër arenë e përplasjes mes Rusisë dhe Ukrainës
Libia, e pasur me naftë dhe me një pozitë strategjike në Mesdhe, kufizohet me gjashtë shtete, por vazhdon të jetë e ndarë politikisht. Dy administratat rivale mbështeten nga fuqi të ndryshme të huaja.
Qeveria e njohur ndërkombëtarisht, me seli në Tripoli, ka zhvilluar marrëdhënie me Ukrainën dhe aleatët e saj perëndimorë, pjesërisht për të forcuar pozitat e saj në pushtet dhe për të frenuar fluksin e migrantëve që synojnë të arrijnë në Evropë. Ajo mbështetet nga një numër grupesh të armatosura dhe milicish.
Ndërkaq, në lindje të Libisë ndodhet qeveria e kryeministrit Ossama Hammad, aleati i së cilës, Khalifa Hifter, mban marrëdhënie të afërta me Rusinë.
Sipas dy zyrtarëve libianë, sulmi i së dielës i ka shkaktuar dëme të rënda korvetës së marinës ruse, Mercury, e cila ishte e ankoruar në bazën detare të Bengazit, në lindje të vendit.
Presidenti ukrainas Zelenskyy ka bërë të ditur se është goditur edhe një anije tjetër ruse, ajo e mallrave MV Angara, për të cilën tha se përdorej nga forcat ruse për transportimin e armëve. Sipas tij, korveta Mercury po e shoqëronte këtë anije në momentin e sulmit.
Korveta ruse ishte ankoruar në Bengazi për furnizim me karburant dhe pajisje të nevojshme, në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Rusisë dhe qeverisë së Hammadit, thuhet në një deklaratë të autoriteteve libiane në lindje të vendit.















