Audi i blinduar, pistoletë dhe fenelinë policie/ Ilir Shyti udhëtonte me gardistin dhe dy ushtarakët, çfarë zbuluan hetimet

Detaje të reja dalin në dritë lidhur me arrestimin e katër personave pranë stadiumit “Arena Kombëtare” në Tiranë, mes tyre një punonjës i Gardës së Republikës dhe dy ushtarakë, të cilët u kapën duke udhëtuar me një automjet të blinduar tip “Audi”, ku u gjetën armë zjarri.
Sipas informacioneve të reja, drejtues i makinës ishte gardisti Erion Ramaj, ndërsa makina ishte në pronësi të Ilir Shytit, djalit të Roland Shytit, një prej emrave të njohur të dosjes “Hakmarrja për Drejtësi”.
Në çantën që i përkiste Shytit, e vendosur në pjesën e pasme të automjetit, u gjet një pistoletë, e cila u sekuestrua nga policia. Ndërkohë, autoritetet sekuestruan edhe armën e shërbimit të gardistit Erion Ramaj, për të cilën po kryhen verifikime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Burime bëjnë me dije se gardisti Ramaj dhe dy ushtarakët, Leonard Murataj dhe Ernest Selmani, shoqëronin Ilir Shytin në momentin kur u ndaluan nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Të katër personat kanë mohuar të kenë pasur dijeni për praninë e pistoletës në çantën e vendosur në automjet.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, në automjet u gjet gjithashtu një fenelinë e ngjashme me ato që përdoren nga policia, për të cilën dyshohet se mbahej nga Ilir Shyti.
Katër të arrestuarit, Erion Ramaj, Ilir Shyti, Leonard Murataj dhe Ernest Selmani, akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të përcaktuar kujt i përkiste arma e gjetur në automjet dhe përgjegjësinë ligjore të secilit prej personave të arrestuar.




