Tragjedi në Universitetin “La Sapienza” në Romë, gjendet i vdekur në çadër studenti 58-vjeçar, ishte në grevë urie për një strehim
Një tjetër skandal ka shpërthyer në Francë, ku Gisèle Pelicot, gruaja që u kthye në simbol të luftës kundër dhunës seksuale, është përballur sërish me një situatë poshtëruese. Fotografi intime të saj, të realizuara pa dijeninë dhe pëlqimin e saj nga ish-bashkëshorti Dominique Pelicot, janë dërguar në disa redaksi mediatike për të promovuar një libër.
73-vjeçarja ka reaguar ashpër ndaj këtij veprimi, duke deklaruar se ndihet thellësisht e tronditur dhe e lënduar nga përdorimi i pamjeve që i përkasin jetës së saj më private.
“Jam thellësisht e tronditur që imazhe nga pjesa më intime e jetës sime private ekspozohen dhe shfrytëzohen për qëllime komerciale. Refuzoj që intimiteti im të kthehet në një mjet reklamimi”, është shprehur ajo për televizionin francez BFMTV. Në qendër të polemikave është shtëpia botuese Tinbad, e cila dyshohet se u ka dërguar fotografitë disa gazetarëve për të tërhequr vëmendjen drejt librit “Emprises, les impasses d’une success story”, të autores dhe psikanalistes Sabine Prokhoris.
Libri trajton konceptin e kontrollit dhe manipulimit psikologjik, ndërsa një kapitull i kushtohet edhe çështjes së Gisèle Pelicot. Përmbajtja e tij ka shkaktuar reagime, pasi vë në diskutim mënyrën se si interpretohet statusi i viktimës në raste të tilla. Pas publikimit të rastit, Pelicot ka bërë të ditur se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore kundër shtëpisë botuese dhe autores së librit.
“Edhe një herë e gjej veten të poshtëruar, të ekspozuar dhe të lënduar. Sikur sprova e gjyqit të mos kishte mjaftuar”, ka deklaruar ajo.
Avokatët e saj e kanë cilësuar këtë veprim si një tjetër formë dhune ndaj saj, duke theksuar se fotografitë janë përdorur për qëllime komerciale pa autorizimin e personit që shfaqet në to.
Nga ana tjetër, shtëpia botuese Tinbad ka kërkuar falje publike, duke e cilësuar rastin si një gabim të papërshtatshëm në komunikimin promovues. Botuesi ka deklaruar se nuk ka dërguar pamje të përdhunimeve apo video pornografike, por nuk ka mohuar shpërndarjen e fotografive intime. Gjithashtu, ka njoftuar se nuk do të ketë ribotim të librit përtej 280 kopjeve që ndodhen aktualisht në qarkullim.
Autorja Sabine Prokhoris, nga ana e saj, ka deklaruar se përgjegjësia për mënyrën e promovimit i takon plotësisht shtëpisë botuese, duke u distancuar nga kjo strategji.
Gisèle Pelicot u bë simbol ndërkombëtar i luftës kundër dhunës seksuale pas zbulimit të krimeve të kryera nga ish-bashkëshorti i saj, Dominique Pelicot. Për afro një dekadë, ai e kishte droguar dhe abuzuar seksualisht, ndërsa kishte ftuar edhe dhjetëra burra të tjerë për ta përdhunuar atë në gjendje të pavetëdijshme.
Në gjyqin e zhvilluar në vitin 2024, Dominique Pelicot u dënua me 20 vite burg, ndërsa 50 burra të tjerë u shpallën fajtorë për vepra të ndryshme seksuale. Gisèle Pelicot refuzoi zhvillimin e gjyqit me dyer të mbyllura dhe hoqi dorë nga anonimiteti, duke zgjedhur që historia e saj të bëhej publike. Vendimi i saj u shndërrua në një mesazh të fuqishëm kundër dhunës seksuale.
Tashmë, ajo përballet me një tjetër betejë ligjore, këtë herë për përdorimin pa leje të fotografive të saj intime.
Top Channel