Atentat me makinë bombë në Kolumbi, shpërthimi shkatërron ndërtesa publike, të paktën 12 të plagosur
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Universitetin “La Sapienza” në Romë, ku një 58-vjeçar është gjetur i pajetë brenda çadrës ku jetonte prej disa javësh, në ambientet e universitetit.
Viktima është identifikuar si Alessandro Ingusci, student i vitit të parë në Fakultetin e Fizikës, i cili kishte mbetur pa një banesë dhe kishte ngritur një kamp të improvizuar pranë statujës së Minervës, në oborrin e universitetit. Sipas mediave italiane, Ingusci kishte nisur një grevë urie në shenjë proteste, duke kërkuar një vend në konviktin studentor, në mënyrë që të mund të vazhdonte studimet. Ai kishte shkruar edhe në dërrasën e zezë të një prej auditorëve se ishte në grevë urie dhe se kërkonte një zgjidhje për situatën e tij të strehimit.
58-vjeçari ishte kthyer në Itali në muajin qershor, pas shumë vitesh qëndrimi në Holandë. Pavarësisht vështirësive ekonomike dhe mungesës së një banese, ai kishte vendosur të ndiqte pasionin e tij për fizikën dhe të regjistrohej në universitet.
Sipas raportimeve, Ingusci vuante nga probleme kardiake dhe ishte me aftësi të kufizuara në masën 50%. Ai kishte qëndruar për javë të tëra në kushte të vështira, fillimisht në ambiente të improvizuara dhe më pas në një çadër brenda kampusit universitar. Vdekja e tij u konstatua pasditen e 23 nëntorit, ndërsa në vendngjarje mbërritën shërbimet e urgjencës dhe policia shkencore. Dyshimet paraprake janë se 58-vjeçari mund të ketë pësuar një gjendje të rëndë shëndetësore, por shkaku i saktë i vdekjes mbetet ende për t’u përcaktuar nga ekspertiza mjekoligjore.
Një tjetër detaj që e bën edhe më të rëndë ngjarjen është fakti se Ingusci priste të shqyrtohej mundësia e sistemimit të tij në një banesë. Sipas raportimeve, takimi për të parë një zgjidhje të mundshme strehimi ishte parashikuar për mëngjesin e 24 nëntorit, një ditë pas vdekjes së tij.
Rektorja e Universitetit “La Sapienza”, Antonella Polimeni, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të studentit, duke deklaruar se universiteti kishte zhvilluar disa kontakte me të gjatë ditëve të fundit dhe kishte përfshirë shërbimet shëndetësore dhe autoritetet lokale për të gjetur zgjidhje konkrete për situatën e tij. Ndërkohë, ngjarja ka shkaktuar reagime të forta nga kolektivët studentorë, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi mungesën e strehimit për studentët dhe vështirësitë për të përfituar nga skemat e mbështetjes.
Autoritetet po vijojnë verifikimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes, ndërsa çështja ka rikthyer në vëmendje krizën e strehimit dhe kostot e larta të jetesës për studentët në kryeqytetin italian.
Top Channel