Vendosni fjalën kyçe....

Aksident fatal në aksin Elbasan-Peqin, humb jetën një këmbësor



Një këmbësor ka humbur jetën mbrëmjen e së hënës, pasi është përplasur nga një automjet në aksin kombëtar Elbasan-Peqin, pranë fshatit Papërr.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, automjeti drejtohej nga një 21-vjeçar, me inicialet O. M., i cili ka aksidentuar një burrë rreth 60 vjeç.

Përplasja ka rezultuar fatale për këmbësorin, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra. Deri më tani, identiteti i viktimës nuk është përcaktuar nga autoritetet.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të aksidentit, zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të tij, si dhe identifikimin e viktimës. Deri në këto momente nuk ka një përfundim zyrtar mbi shpejtësinë e automjetit apo faktorët e tjerë që mund të kenë ndikuar në aksident.