Përmasa të reja ka marrë skandali financiar që ka tronditur Paraguain. Autoritetet kanë vënë në pranga Francisco Peña, vëllain e ish-presidentit Santiago Peña, në kuadër të hetimeve për dështimin e Ueno Bank dhe dyshimeve për një mekanizëm pastrimi parash.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se masa e ndalimit u urdhërua nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi hetuesit dyshojnë se Francisco Peña dhe bashkëshortja e tij, Rocío Caballero, janë përfshirë në një transaksion të dyshimtë pronash me vlerë rreth 3 milionë dollarë.
Të lidhura
None found
Arrestimi i Francisco Peña u krye më 23 nëntor në kryeqytetin Asunción. Ai u ndalua nga forcat e rendit ndërsa po dilte nga banesa e tij në lagjen Los Laureles. Pasi qëndroi rreth dy orë brenda shtëpisë, ai iu dorëzua autoriteteve. Sipas linjës hetimore të prokurorëve, dyshohet se çifti e përdori kompaninë PEAR S.R.L. për të blerë një pronë prej 1,184 hektarësh në departamentin Paraguarí, me vlerë të përafërt 3 milionë dollarë.
Hetuesit po shqyrtojnë nëse kjo blerje është realizuar në emër dhe për llogari të ish-presidentit Santiago Peña, si dhe nëse kompania shërbeu për të maskuar pronësinë e vërtetë të transaksionit. Një aspekt tjetër që po hetohet ka të bëjë me mënyrën e financimit të kësaj prone. Sipas Prokurorisë, këstet e kredisë mendohet se nuk janë shlyer nga të ardhurat e kompanisë PEAR S.R.L., por nga shoqëri të lidhura me Grupo Vázquez, grupit që kontrollon Ueno Bank.
Autoritetet janë duke analizuar dokumentacionin dhe transfertat bankare për të përcaktuar burimin e parave dhe nëse operacionet tregtare u shfrytëzuan për të justifikuar lëvizjen e fondeve. Ndërkohë, kriza e Ueno Bank ka ngjallur shqetësim të thellë në sistemin financiar të Paraguait.
Presidenti i ri i Bankës Qendrore ka paralajmëruar se dëmi që mund të shkaktojë falimentimi i këtij institucioni financiar në sistemin bankar dhe në ekonominë prodhuese të vendit mund të shkojë deri në 1 miliard dollarë. Banka Qendrore kishte ndërhyrë në Ueno Bank pas rënies së treguesve financiarë të institucionit, ndërkohë që në hetime janë përfshirë edhe drejtues të lartë të bankës.
Çështja ka shkaktuar jehonë të fortë politike dhe financiare në vend, ndërsa ish-presidenti Santiago Peña po përballet po ashtu me hetime lidhur me dyshimet për implikim në këtë çështje financiare. Hetimet po vazhdojnë për të ndriçuar rolin e personave të implikuar dhe për të vërtetuar nëse transaksionet e dyshuara janë shfrytëzuar për pastrim parash dhe përfitime të paligjshme. Deri tani, pretendimet e Prokurorisë mbeten pjesë e një procesi hetimor në ecuri dhe nuk përbëjnë një vendim përfundimtar fajësie.







