
Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se vendi ynë duhet të kërkojë bashkimin me krahinën e Çamërisë kur Greqia kërkon 12 miljet detare.
“Greqia këto 12 milje i pretendon prej 12 dekadash, pra prej 120 vitesh. Ndoshta ka ardhur koha që ne ta vëmë në axhendë, por me një kusht: që të diskutohet në këmbim edhe marrja e Çamërisë. 12 miljet mund të tolerohen vetëm nëse vihet në diskutim këmbimi i territoreve. Të merret krahina e Çamërisë dhe ndoshta të tolerohen 12, 6 milje.
Sepse në diplomaci dhe politikë mund të diskutosh vetëm mbi bazën e pretendimeve, në radhë të parë historike, mbi identitetin e një kombi, mbi të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me ndryshimin e kufijve, deri te shpallja e gjendjes së luftës me Shqipërinë, dhe pastaj të kalohet te diskutimi i hapësirave detare.
Nëse Greqia është e bindur se këto 12 milje i takojnë, do ta kishte çuar çështjen në Gjykatë që këtu e 12 vite më parë”, ka thënë Kreshnik Spahiu në “Repolitix” në Report TV.