Publikohet ditari personal i Papa Françeskut, shënimet e mbajtura për 32 vite zbulojnë betejat e tij të brendshme, krizën shpirtërore dhe rrëfimet për djallin
Ditari personal i Papa Françeskut është publikuar më 24 nëntor nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, duke nxjerrë në dritë shënime dhe reflektime personale të panjohura më parë të ish-Papës, Jorge Mario Bergoglio, i njohur botërisht si Papa Françesku. Në faqet e tij, të mbajtura nga viti 1992 deri në gusht të vitit 2024, ish-Papa rrëfen përjetimet e tij shpirtërore, frikën nga tundimi i pushtetit dhe një krizë të thellë të përjetuar gjatë pontifikatit.
Libri, i titulluar “Ditari personal i Papa Françeskut”, është përgatitur nga kardinali Víctor Manuel Fernández, prefekt i Dikasterit për Doktrinën e Fesë dhe një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Papës. Vepra publikohet njëkohësisht në pesë gjuhë dhe shpërndahet në 94 vende të botës.
Materialet përfshijnë shënime personale të Bergoglios përgjatë 32 viteve, duke ofruar një pasqyrë më të thellë të jetës së tij të brendshme, përtej rolit publik si drejtues i Kishës Katolike.
Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, kardinali Fernández ka zbuluar disa prej pjesëve më të veçanta të ditarit, përfshirë rrëfimet e Papës për tri raste kur ai besonte se ishte përballur fizikisht me djallin.
“Kam zbuluar se djalli ishte shfaqur pa turp, me dinakëri”, shkruante Françesku në një prej shënimeve të tij.
Sipas rrëfimit të publikuar, herën e parë ai pretendonte se e kishte parë figurën nga dritarja e një makine, rreth 15 vite më parë. Herën e dytë, gjatë një kremtimi në një kapelë të Karmelit, thotë se ishte përballur me një vështrim që i ngjante rrezeve të zjarrit dhe ishte larguar duke shtrënguar rruzaren.
Rasti i tretë kishte ndodhur në janar të vitit 2021, kur ishte tashmë Papë. Në ditar, ai përshkruan një prani që i ishte shfaqur gjatë një takimi në Romë dhe një zë që kishte thënë: “Tani kam arritur gjithçka që dëshiroja”.
Sipas kardinalit Fernández, këto përjetime shënuan fillimin e një periudhe të vështirë për Françeskun, i cili për rreth dy vite, gjatë viteve 2021–2022, përjetoi një krizë të thellë shpirtërore. Ajo lidhej kryesisht me frikën se mund të binte pre e tundimit të pushtetit dhe të largohej nga misioni i tij fetar.
Një tjetër pjesë e ditarit që ka tërhequr vëmendjen është rrëfimi i Papës për një përjetim që ai e përshkruan si shikimin e hyrjes së ferrit.
“Natën e kaluar pashë hyrjen e ferrit. Tundimin pagan në të gjithë fuqinë e tij. U afrova për të parë pak dhe u tmerrova. Mora rruzaren si armë”, shkruante Françesku në shënimin e tij të 7 qershorit 2018.
Kardinali Fernández shpjegon se tundimi për të cilin fliste Papa nuk lidhej me kënaqësitë materiale, por me rrezikun e adhurimit të vetvetes dhe keqpërdorimit të pushtetit.
Ai tregon gjithashtu se nuk kishte qenë në dijeni të shumicës së këtyre përjetimeve, pavarësisht se takohej me Françeskun pothuajse çdo javë dhe shpesh darkonin së bashku.
Në ditar shfaqet edhe lidhja e fortë e Papës me Virgjëreshën Mari, Shën Jozefin dhe Shën Terezën e Lisieux-së, të cilëve u drejtohej përmes lutjeve gjatë periudhave të vështira.
Shënimi i fundit i përfshirë në ditar mban datën 18 gusht 2024 dhe përmban një lutje të thjeshtë: “I kërkoj Virgjëreshës të kujdeset për mua dhe të më ndihmojë”.
Fernández e konsideron botimin e këtyre shënimeve një mundësi për të njohur më mirë personalitetin e Bergoglios, duke zbuluar një anë të tij që kishte mbetur larg vëmendjes publike.
Ditari përfshin gjithashtu reflektime mbi marrëdhëniet njerëzore, përgjegjësinë e drejtimit të Kishës, pendesën dhe vuajtjen e të tjerëve. Sipas kardinalit, përmes këtyre shënimeve shfaqet portreti i një njeriu që, pavarësisht autoritetit të tij, përballej vazhdimisht me dyshime dhe beteja të brendshme.








Komente
Komento