Një komision i Senatit amerikan po heton nëse zëvendëspresidenti i SHBA-ve, JD Vance, ka luajtur një rol në dhënien e një kontrate fitimprurëse për naftën venezueliane gjigantit të tregtimit të mallrave, Vitol, sipas një letre të siguruar nga Reuters.

Hetimi vjen pas një raportimi ekskluziv të Reuters, i cili zbuloi detaje mbi një takim mes Vance dhe tregtarit të Vitol-it, John Addison, një javë përpara se Shtetet e Bashkuara të pushtonin Venezuelën në janar dhe të arrestonin Nicolas Maduro-n.

“Po ju shkruaj sot me shqetësim të madh, pasi ekziston mundësia që ju të keni përdorur pozicionin tuaj si zëvendëspresident për të ndihmuar një donator të rëndësishëm politik që të siguronte mundësi fitimprurëse biznesi në sektorin e naftës venezueliane”, thuhet në letrën që senatorja demokrate nga New Hampshire, Maggie Hassan, i ka dërguar Vance.

Hassan do të marrë detyrën e kryetares së Komisionit të Senatit për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare në janar, kur të mblidhet Kongresi i ri. Ajo po kërkon një sërë dokumentesh nga zyra e Vance deri më 14 dhjetor. Mes tyre janë komunikimet mes Vance ose stafit të tij dhe Addison-it apo kompanisë së tregtimit.

Sipas një burimi, takimi mes Vance dhe Addison u zhvillua në dhjetor 2025, gjatë një vizite që Vance bëri në Yellowstone Club të Montanës, një resort jashtëzakonisht ekskluziv për ski dhe golf.

Në atë kohë, Addison ishte tregtar benzine për Vitol dhe nuk kishte ekspertizë në tregtimin e naftës bruto venezueliane, sipas kompanisë Vitol. Ai u tërhoq nga puna në Vitol në fillim të këtij viti.

Sipas personit që ka dijeni për takimin dhe që kishte marrë informacion mbi bisedën nga vetë Addison, Vance dhe Addison diskutuan për Venezuelën. Vance ishte veçanërisht i interesuar të dinte se sa shpejt mund të shitej nafta bruto venezueliane në rast se SHBA-tw do të merrte hipotetikisht kontrollin mbi rezervat e naftës së vendit, tha ky person. Addison e siguroi Vance se Vitol ishte në një pozicion shumë të favorshëm për ta kryer këtë detyrë.

Si Vance, ashtu edhe Addison kanë mohuar se takimi ka ndodhur.

Në letrën e saj, Hassan shkroi: “Pavarësisht mohimeve nga zyra juaj dhe zoti Addison, të dhënat e fluturimeve tregojnë se avioni privat i tij dhe avioni qeveritar që ju transportonte ndodheshin në të njëjtin aeroport në Montana, në ditën kur raportohet se është zhvilluar takimi”.

Në përgjigje të pyetjeve për këtë artikull, sekretari për shtyp i Vance, Luke Schroeder, deklaroi: “Takimi i pretenduar në aeroport nuk ka ndodhur kurrë”.

Në raportimin e parw, Reuters nuk kishte specifikuar se takimi ishte zhvilluar në aeroport.

Addison ka konfirmuar për Reuters se më 5 janar, dy ditë pas operacionit që rrëzoi Maduron dhe shkaktoi vdekjen e deri në 100 personave, Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, e telefonoi në zyrën e tij në Houston me një ofertë të parefuzueshme.

Administrata e presidentit Donald Trump po planifikonte të niste shitjen e naftës bruto të këtij vendi të Amerikës së Jugut, anëtar i OPEC-ut, te blerësit ndërkombëtarë, për të financuar tranzicionin e ardhshëm politik. Wright donte të dinte nga Addison nëse Vitol ishte e interesuar të merrte përsipër këtë detyrë.

Departamenti i Energjisë konfirmoi se Wright e kishte telefonuar Addison më 5 janar për të diskutuar mbi Venezuelën.

Brenda pak ditësh, Vitol dhe konkurrentja e saj në tregtimin e mallrave, Trafigura, siguruan licenca të posaçme për të shitur naftën e Venezuelës, sipas të dyja kompanive.

Që atëherë, kompanitë kanë fituar qindra miliona dollarë nga tregtimi i naftës bruto, sipas vlerësimeve të ekspertëve të pavarur.

Shtetet e Bashkuara administruan më shumë se 12 miliardë dollarë të të ardhurave nga nafta e Venezuelës gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, sipas një raporti të bërë publik nga Departamenti i Shtetit në fillim të këtij muaji.

Sipas të dhënave të Komisionit Federal të Zgjedhjeve, Addison kishte qenë një nga mbështetësit e hershëm të Vance, duke kontribuar me 300 mijë dollarë në vitin 2022 për Komitetin e Veprimit Politik “Protect Ohio Values”, për të ndihmuar fushatën e suksesshme të Vance për një nga vendet e Ohajos në Senatin amerikan.

Më vonë, sipas të dhënave të Komisionit Federal të Zgjedhjeve, Addison dhe bashkëshortja e tij, Shannon, kontribuan me 7 milionë dollarë në vitin 2024 për komitete të veprimit politik, me qëllim që të ndihmonin në sigurimin e një mandati të dytë të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.