Diaspora shqiptare në Kroaci vazhdon të kontribuojë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar, traditave dhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Në Zagreb është mbajtur manifestimi kulturor “Hapat e Trashëgimisë”, ku janë prezantuar 31 veshje popullore nga treva të ndryshme shqiptare.

Manifestimi u mbajt më 22 nëntor 2026, në Hotel Antunović në Zagreb, në organizim të Shoqatës Kulturore Shqiptare në Kroaci “Shkëndija”, me mbështetjen e Këshillit për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë, Shoqatës HASI dhe Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, shkruan Telegrafi.


Aktiviteti iu kushtua pasurisë, bukurisë dhe larmisë së veshjeve popullore shqiptare, duke sjellë në një skenë të vetme traditat e krahinave dhe trevave ku shqiptarët prej shekujsh ruajnë zakonet dhe identitetin e tyre kulturor.

Sipas njoftimit të Shoqatës Kulturore “Shkëndija” në Facebook, në këtë manifestim u prezantuan veshje popullore nga Ulqini, Malësia, Mirdita, Tropoja, Tirana dhe Korça, përmes Rugovës, Drenicës, Prizrenit, Hasit, Medvegjës, Karadakut, Rekës së Epërme dhe Pollogut, deri te Çamëria dhe komuniteti arbëresh në Itali, transmeton Telegrafi.

“Çdo veshje ishte një histori më vete. Pas qëndisjeve të pasura, stolive, ngjyrave dhe detajeve karakteristike fshihen historia, zakonet dhe identiteti i krahinave të ndryshme”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

Vlerë të veçantë në këtë manifestim patën edhe veshjet popullore që ruhen brez pas brezi në familjet shqiptare, si trashëgimi e çmuar e të parëve.

Sipas organizatorëve, projekti është rezultat i muajve të tërë pune, hulumtimesh, bisedash dhe bashkëpunimi me familje e individë, të cilët vunë në dispozicion veshjet e tyre të çmuara.

“Çdo detaj i revysë u mendua me kujdes, nga renditja e prezantimit deri te muzika që shoqëronte krahinat përkatëse, me qëllim që publikut t’i përcillej sa më besnikërisht veçantia dhe trashëgimia e tyre kulturore”, thuhet më tej në njoftim, transmeton Telegrafi.

Manifestimi mblodhi gjithashtu shumë mysafirë dhe përfaqësues të institucioneve kroate dhe të komunitetit shqiptar në Kroaci.

Ndër të pranishmit ishin Marija Vrhovski, e dërguara e kryetarit të Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandroković, Esad Collaku, kryetar i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, dhe Tibor Varga, kryetar i Këshillit për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë.

Me këtë rast, Shoqata Kulturore “Shkëndija” i ndau një mirënjohje Tibor Vargës, në shenjë vlerësimi dhe falënderimi për mbështetjen dhe kontributin e tij në ruajtjen e identitetit kulturor të pakicave kombëtare.

Në përfundim, organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit, modelet, pronarët dhe dhuruesit e veshjeve, familjet e tyre, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që me punën, kohën dhe përkushtimin e tyre mundësuan realizimin e këtij manifestimi.

Përmes këtij aktiviteti, komuniteti shqiptar në Kroaci dëshmoi edhe një herë përkushtimin për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë./Telegrafi/