Kosova përmbys bilancin e investimeve direkte me Shqipërinë
Një burrë zbathur, me dorën e thyer, është ulur në tokë, ndërsa punonjësit shëndetësorë ia kontrollojnë plagët.
Disa metra më tutje, një person tjetër mezi ecën, duke u mbështetur te shoqëruesit e tij. Në fotografitë dhe videot e publikuara në mes të nëntorit nga organizata austriake SOS Balkanroute shihen disa migrantë me fasha, mavijosje dhe gjurmë gjaku, të cilët, sipas pretendimeve të tyre, janë kthyer nga Kroacia në Bosnje dhe Hercegovinë.
Kjo organizatë thotë se më 11 nëntor, policia kroate ka kthyer me forcë 53 migrantë nga Kroacia në Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo shton se bëhet fjalë për “numrin më të madh të migrantëve të lënduar rëndë” që ekipet e saj kanë hasur gjatë një incidenti të vetëm në vitet e fundit.
Ndërsa autoritetet kroate i hedhin poshtë akuzat, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), përmes një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, kërkon “një hetim të shpejtë, gjithëpërfshirës dhe të pavarur”.
Për këtë çështje ka hapur rast edhe Avokati i Popullit i Kroacisë. Nga ky institucion thonë për Radion Evropa e Lirë se kërkojnë sqarime nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë.
Edhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe aktivistë pohuan për REL-in se pretendimet për kthimin e dhunshëm të migrantëve “përsëriten vazhdimisht”, duke shtruar pyetjen se përse Komisioni Evropian “mban një sy mbyllur” ndaj këtyre akuzave. Komisioni Evropian nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar akuzat e fundit ndaj Kroacisë për kthimin e dhunshëm të migrantëve në kufirin me Bosnje dhe Hercegovinën.
Dhjetëra persona të lënduar u gjetën pesë kilometra larg kufirit
Sipas raportit të publikuar nga SOS Balkanroute dhe Medical Solidarity International, më 11 nëntor, ekipet e Kryqit të Kuq dhe të SOS Balkanroute morën informacione se në zonën e Trshacit, Cërnajes dhe Shturlliqit, pranë Cazinit, në veriperëndim të Bosnje dhe Hercegovinës, ndodheshin disa grupe migrantësh me lëndime të lehta dhe të rënda.
Ato u informuan edhe për 53 persona të kthyer nga Kroacia në Bosnje dhe Hercegovinë. Pas mbërritjes në vendngjarje, ekipet gjetën gjithsej 40 migrantë, të ndarë në gjashtë grupe. Mes tyre kishte shtetas të Bangladeshit, Pakistanit, Sudanit, Nepalit dhe Indisë, përfshirë gra dhe të mitur. Në raport thuhet se shumë prej tyre nuk kishin para, disa ishin zbathur, ndërsa të tjerë kishin mbetur pa pjesën më të madhe të rrobave.
Shumë prej tyre kishin lëndime të dukshme, ndërsa te disa dyshohej për thyerje të duarve, këmbëve dhe brinjëve, si dhe për plagë të hapura e lëndime në kokë.
“Shërbimet emergjente u detyruan të transportonin pesë persona që kishin pësuar thyerje të duarve dhe këmbëve, si dhe lëndime në kokë. Dymbëdhjetë personat e tjerë, nëntë prej të cilëve ishin të lënduar, u transportuan me taksi në kampin Lipa (pranë Bihaqit), me organizimin e SOS Balkanroute”, thuhet në raportin e kësaj organizate.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të kontaktonte personat e lënduar për të biseduar me ta rreth pretendimeve të tyre. Megjithatë, sipas dëshmive të mbledhura nga organizata SOS Balkanroute, migrantët thanë se nga Bosnje dhe Hercegovina kishin kaluar në Kroaci dhe kishin arritur pothuajse deri në kufirin me Slloveninë, ku ishin ndaluar nga policia kroate.
Në raport thuhet se, më pas, ata ishin kthyer drejt një zone pyjore pranë kufirit me Bosnje dhe Hercegovinën, ku ishte mbledhur një grup prej 53 migrantësh të kombësive të ndryshme.
Sipas SOS Balkanroute, migrantët pretendojnë se aty ndodheshin rreth 15 policë të maskuar. Sipas dëshmive të tyre, policët ua kishin marrë paratë dhe ua kishin shkatërruar telefonat celularë, ndërsa disa prej tyre i kishin zhveshur edhe nga rrobat dhe këpucët.
Më pas, sipas migrantëve, ata ishin dërguar në një vend tjetër dhe ishin kthyer përtej kufirit në Bosnje dhe Hercegovinë. Gjatë këtij procesi, pretendojnë se ishin goditur me grushte, shqelma dhe shkopinj policorë, si dhe ishin kërcënuar me armë zjarri.
Në Spitalin Kantonal “Dr. Irfan Lubijankiq” në Bihaq i thanë Radios Evropa e Lirë se nga data 11 deri më 13 nëntor, mjekët kanë kontrolluar tetë persona me prejardhje migrante.Sipas spitalit, njëri prej tyre kishte thyerje të kockës së kofshës, një tjetër thyerje të parakrahut, ndërsa te të tjerët ishin konstatuar një sërë lëndimesh të lehta trupore.
Nga spitali thanë se të lënduarit kanë deklaruar se plagët ua kanë shkaktuar zyrtarët policorë gjatë kalimit të kufirit.
Në përgjigjen e dërguar Radios Evropa e Lirë thuhet, gjithashtu, se gjatë vitit të fundit janë kontrolluar shumë persona me prejardhje migrante, të cilët, sipas deklarimeve të tyre, kanë pësuar lëndime në rrethana të ngjashme. Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë ia përcolli Radios Evropa e Lirë një deklaratë të ministrit Davor Bozhinoviq, i cili i hodhi poshtë pretendimet për dhunë.
Sipas tij, policia kroate ishte informuar për rastin nga raportimet në media dhe më pas kishte kryer verifikime, por nuk kishte gjetur informacione që do t’i konfirmonin akuzat. Ai theksoi se autoritetet kroate nuk kishin marrë asnjë informacion zyrtar nga institucionet përkatëse të Bosnje dhe Hercegovinës.
Sipas Bozhinoviqit, policia kroate ndalon mesatarisht deri në 90 persona në ditë që tentojnë të hyjnë ilegalisht në Kroaci, duke “vepruar në përputhje me rregulloret kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Ai pretendoi se në territorin e Bosnje dhe Hercegovinës ka dhunë mes grupeve të migrantëve, por se rrethana të tilla nuk mund të lidhen automatikisht me rastin konkret.
Ministria e Sigurisë e Bosnje dhe Hercegovinës, Shërbimi për Çështjet e të Huajve i Bosnje dhe Hercegovinës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kantonit të Una-Sanës nuk iu përgjigjen kërkesave të Radios Evropa e Lirë për koment. Rasti i fundit ndodhi pasi përfundoi mandati i mekanizmit të pavarur kroat për mbikëqyrjen e kufirit, ndërsa një mekanizëm i ri ende nuk është vënë në funksion.
Ky mekanizëm ishte krijuar pas publikimit, në vitin 2021, të videove nga mediat ndërkombëtare, ku shiheshin persona të maskuar duke rrahur migrantë dhe duke i kthyer me forcë në Bosnje dhe Hercegovinë.
Tamara Opaçiq, gazetare e së përditshmes së Zagrebit “Novosti”, e cila prej vitesh përcjell çështjet e migrimit, azilit dhe të drejtave të njeriut, e konsideron problematike deklaratën e ministrit të Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq, për kthimin e përditshëm të migrantëve.
“Nëse një person, pavarësisht nëse e ka kaluar kufirin në një pikë zyrtare kufitare apo përmes të ashtuquajturit kufi të gjelbër, kërkon azil, ai nuk mund të kthehet menjëherë në një shtet tjetër. Duhet të kalojë nëpër procedurën e përcaktuar me ligj, përfshirë procesin e verifikimit dhe procedurën e shqyrtimit të kërkesës për mbrojtje ndërkombëtare”, thotë Opaçiq për Radion Evropa e Lirë.
Ajo kritikon edhe faktin që pretendimet për rastin e fundit të dhunës, vihen në dyshim ende pa u hetuar.
Për të ilustruar mënyrën se si autoritetet kroate kanë trajtuar akuza të ngjashme në të kaluarën, Opaçiq përmend rastin e Madina Hussinyt, një vajze gjashtëvjeçare nga Afganistani, e cila humbi jetën në vitin 2017.
“Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë mohoi për vite me radhë përgjegjësinë e Kroacisë për këtë rast, ndërsa kundërshtimet vazhduan edhe pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thotë ajo.
Që nga viti 2017, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka nxjerrë tri aktgjykime lidhur me trajtimin e migrantëve nga Kroacia. Në rastin e Madina Hussinyt, Gjykata konstatoi se Kroacia kishte shkelur disa dispozita të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas Opaçiqit, gjatë gjashtë vjetëve të fundit janë paraqitur të paktën 24 ankesa për dhunë të dyshuar policore ndaj migrantëve, por asnjëra nuk ka përfunduar me aktgjykim dënues.
Ajo shprehet e shqetësuar se reagimet e institucioneve evropiane ndaj pretendimeve për kthime të dhunshme të migrantëve, janë rralluar dukshëm viteve të fundit. Sipas saj, kjo ngre pyetjen nëse Komisioni Evropian po “mbyll një sy” ndaj këtyre rasteve.
Një person transgjinor, i moshës 18 deri në 25 vjeç, ka dëshmuar se policia kroate e kishte kthyer me forcë në Bosnje dhe Hercegovinë në gusht të vitit 2026, ndonëse kishte kërkuar azil. Sipas dëshmisë së tij, policët ia kishin kontrolluar dokumentet dhe sendet personale, e kishin transportuar me një automjet me grila dhe më pas e kishin lënë në një zonë pyjore, duke e paralajmëruar të mos përpiqej të hynte sërish në Bashkimin Evropian.
Rasti është dokumentuar nga Rrjeti për Monitorimin e Dhunës në Kufij (BVMN), i cili prej vitesh mbledh dëshmi të migrantëve. Në raportin për gushtin 2026, organizata theksoi se kthimet e dhunshme vazhdojnë të raportohen edhe pas hyrjes në fuqi, në qershor, të Paktit të ri të BE-së për Migracionin dhe Azilin.
Kjo reformë parasheh, ndër të tjera, mekanizma të pavarur për mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave themelore në kufij.
Megjithatë, sipas BVMN-së, migrantët vazhdojnë të raportojnë se kthehen nga Kroacia në Bosnje dhe Hercegovinë pa u dhënë mundësia të kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare./REL
Top Channel