Avionët ushtarakë rusë pranë Koresë së Jugut, banorëve të një ishulli u kërkohet të strehohen

Azi | 1 minutë më parë

Autoritetet e Koresë së Jugut lëshuan një alarm të rrallë për banorët e ishullit Ulleung, duke u kërkuar të strehoheshin për shkak të afrimit të avionëve ushtarakë rusë pranë hapësirës ajrore të vendit. Forcat ajrore koreano-jugore ngritën në fluturim avionë luftarakë për të parandaluar një incident të mundshëm.

Alarmi u dha në orën 07:52, duke paralajmëruar rreth 8,700 banorët e ishullit, i cili ndodhet rreth 120 kilometra larg bregut lindor të Koresë së Jugut, që të kërkonin strehim në ambiente të sigurta, mundësisht në bunkerë nëntokësorë. Në mesazhin në gjuhën angleze, paralajmërimi shfaqej me formulimin “EVAKUIM, SULM AJROR”.

Sirena u dëgjuan në ishull, ndërsa transmetimet televizive u ndërprenë për të përcjellë udhëzimet e autoriteteve. Paralajmërimi u hoq vetëm tre minuta më vonë, në orën 07:55, pasi avionët rusë u larguan nga zona.

Zëdhënësi i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Koresë së Jugut, Jang Do-young, tha se avionët rusë iu afruan aq shumë hapësirës ajrore mbi ishullin Ulleungdo, saqë autoritetet parashikuan një shkelje të mundshme.

“Avionët ushtarakë lëvizin me shpejtësi shumë të madhe dhe parashikohej një shkelje e hapësirës ajrore”, deklaroi ai, duke shpjeguar se alarmi u dha paraprakisht për të garantuar sigurinë e banorëve.

Sipas autoriteteve ushtarake, avionët rusë kishin hyrë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut (KADIZ), mbi Detin e Japonisë, të cilin Seuli e quan Deti Lindor. Forcat ajrore koreano-jugore ngritën avionë luftarakë për të monitoruar lëvizjet e tyre dhe për të parandaluar çdo incident.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se do të thërriste atasheun ushtarak rus në Seul për t’i dorëzuar një protestë të fortë diplomatike.

Ngjarja shkaktoi shqetësim te banorët, disa prej të cilëve nuk e kuptuan menjëherë situatën. Një punëtor ndërtimi, Jeong Hae-seung, 41 vjeç, i tha gazetës “Hankyoreh” se ishte larguar menjëherë nga vendi i punës pasi kishte marrë mesazhin e alarmit.

“Dola jashtë duke pyetur veten se çfarë po ndodhte, ndërsa transmetimi i mbrojtjes civile ishte aktiv, por nuk arrija të kuptoja se çfarë po thoshte”, tregoi ai.

Ndërkohë, një banor tjetër, Baek Un-bae, i tha televizionit YTN se një i moshuar e kishte telefonuar i shqetësuar, për ta pyetur nëse kishte nisur lufta.

“Të moshuarit nuk kanë akses në media, ndaj dëgjojnë vetëm paralajmërimin dhe alarmohen aq shumë sa nuk dinë çfarë të bëjnë”, u shpreh ai.

Situata u ndërlikua edhe më tej nga një gabim në komunikimin e autoriteteve lokale. Provinca Gyeongsang e Veriut, e cila administron ishullin, dërgoi një mesazh ku thuhej se një objekt fluturues, që dyshohej të ishte avion i Koresë së Veriut, ishte larguar nga zona e rrezikut.

Autoritetet provinciale pranuan më vonë se kishin përdorur gabimisht tekstin e një njoftimi të përgatitur për stërvitjet rutinë, duke ndryshuar vetëm orën dhe duke mos përditësuar përmbajtjen.

Sipas “The Guardian”, incidenti i së martës ishte hera e katërt këtë vit që avionë ushtarakë rusë hynin në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut dhe e dyta brenda një jave.

Kjo zonë nuk përbën hapësirë ajrore sovrane të shtetit, por shërben si një perimetër sigurie për identifikimin e hershëm të avionëve që afrohen drejt territorit kombëtar. Hyrja në këtë zonë pa njoftim paraprak nuk përbën automatikisht shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Moska nuk e njeh autoritetin e Seulit mbi këtë zonë dhe argumenton se ajo nuk ka bazë në të drejtën ndërkombëtare. Sipas të dhënave të paraqitura në parlamentin koreano-jugor, gjatë pesë viteve deri në vitin 2024 janë regjistruar rreth 60 hyrje të avionëve rusë pa njoftim paraprak, ndërsa për avionët kinezë shifra arrin në rreth 430.

Një incident më serioz ishte regjistruar në vitin 2019, kur një avion rus i paralajmërimit të hershëm A-50 shkeli hapësirën ajrore të Koresë së Jugut pranë ishujve Dokdo. Në atë kohë, avionët luftarakë koreano-jugorë u ngritën në ajër dhe qëlluan me të shtëna paralajmëruese.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme