Ndërron jetë në Spitalin Rajonal të Fierit edhe Jakup Hasani, 47-vjeçari i cili mbeti i plagosur rëndë në atentatin e ndodhur mëngjesin e djeshëm në lagjen “1 Maji” në Fier.

Hasani iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka mundur t’u mbijetojë katër plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri.

Në këtë atentat humbi jetën në vendngjarje edhe 60-vjeçari Selami Hasani. Me vdekjen e 47-vjeçarit Jakup Hasani, shkon në dy numri i viktimave të këtij atentati.

Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.