
Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm ish-drejtuesin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, i cili ishte marrë i pandehur për akuzat e pastrimit të parave dhe përkrahjes së autorit të krimit.
Breçani akuzohej për pastrim parash përmes HEC-eve në Valbonë, në kuadër të hetimeve për grupin e Ervin Matës, i përfshirë në trafikimin e kokainës, ku dyshohej se kishte marrë pjesë edhe i biri i tij, Eralbi Breçani.
Çështja ndaj ish-zyrtarit të Policisë së Shtetit kaloi për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës, pasi Gjykata e Posaçme (GJKKO) shpalli moskompetencën për gjykimin e saj.
Breçani akuzohej për pastrim të produkteve të veprës penale në bashkëpunim dhe përkrahje të autorit të krimit, akuza të cilat i ka kundërshtuar. Me vendimin e pafajësisë, Gjykata Penale e Tiranës ka përfunduar shqyrtimin e çështjes ndaj tij.
Pas vendimit, Breçani ka reaguar duke u shprehur: “Drejtësia foli, drejtësia u vu në vend”.