E martë, 24 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Vendi

“Të gjithë jemi të ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike”, eksperti Gjelishti: Inteligjenca Artificiale rrit rrezikun, por edhe mundësitë për t’u mbrojtur

Eksperti i sigurisë kibernetike, Igli Gjelishti, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, nën moderimin e Brikena Priftit, foli për rritjen e incidenteve teknologjike, rolin e Inteligjencës Artificiale dhe sfidat që paraqiten për sigurinë kibernetike.

Gjelishti u shpreh se ka një rritje të ndjeshme të raportimeve për incidente, të cilat zyrtarisht nuk janë klasifikuar si sulme kibernetike. Ai solli si shembuj ndërprerjen e shërbimeve të Microsoft javën e kaluar dhe pezullimin e fluturimeve në SHBA, duke theksuar se këto ngjarje nuk janë cilësuar zyrtarisht si sulme kibernetike.

Sipas tij, Inteligjenca Artificiale luan një rol në zhvillimet e fundit, pasi rrit jo vetëm mundësitë për të kryer sulme, por edhe kapacitetet për t’u mbrojtur prej tyre.

“Ka një boom raportimesh për incidente, të cilat zyrtarisht nuk janë konsideruar si sulme kibernetike. As shkëputja e shërbimeve të Microsoft javën që shkoi, as ndërprerja e fluturimeve në SHBA, zyrtarisht nuk janë pranuar si sulme kibernetike. Megjithatë, është e qartë që Inteligjenca Artificiale luan një rol në atë që po ndodh.

Reklamë

Inteligjenca Artificiale rrit mundësitë për të bërë keq, por rrit edhe mundësitë për t’u mbrojtur. Nuk duhet të harrojmë që bota po kalon disa konflikte të ashpra, aktorë të të cilave janë shtete që kanë fuqi të mëdha për të kryer sulme të tilla”, u shpreh Gjelishti.

Eksperti theksoi se objektiv i sulmeve kibernetike mund të jetë kushdo dhe se është e gabuar të mendohet se individët apo institucionet e vogla nuk përbëjnë interes për sulmuesit.

“Objekt i sulmeve janë të gjithë dhe gabimi më i madh që mund të bëjmë është të themi: ‘Kush jemi ne që të merren me ne’. Askush nuk merret me ne individualisht. Ne për internetin jemi thjesht një IP dhe, nëse ajo IP skanohet, ne jemi të gjithë të ekspozuar. Ajo që duhet të bëjmë nuk është të gjejmë arsye pse na sulmojnë, por të jemi 100% të mbrojtur”, deklaroi ai.

Një tjetër element i rëndësishëm, sipas Gjelishtit, është faktori njerëzor. Ai paralajmëroi se edhe institucionet që marrin masa të shumta sigurie mund të ekspozohen për shkak të gabimeve të një individi.

“Një institucion mund të marrë të gjitha masat e mundshme, por ky institucion do të jetë i mbrojtur aq sa është hallka më e dobët e tij, që është individi. Një individ me një USB të përdorur në vendin e gabuar mund të hedhë poshtë të gjitha këto masa mbrojtëse”, tha eksperti.

I pyetur nëse Shqipëria ka infrastrukturën e nevojshme për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike, Gjelishti u shpreh se kjo nuk është një krizë që prek vetëm vendin tonë, por është pjesë e një problematike globale.

“Kjo nuk është një krizë e Shqipërisë. Shqipëria është një copëz në një mozaik të madh. Sot jetojmë në një kohë tjetër, ndërgjegjësimi është shumë i madh. Më mirë që na ndodhën ato që na ndodhën dhe u përgatitëm, sesa të gjendeshim sot të papërgatitur dhe kushedi se çfarë do të na ndodhte. Siguri 100% s’do ketë, është një luftë e vazhdueshme. Duhet të mësojmë të mbrohemi dhe të ruhemi nga sulmet kibernetike”, përfundoi Gjelishti.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.