Konferenca e Kryetarëve ka caktuar datën 10 dhjetor për të zhvilluar mocionin me debat të kërkuar nga Partia Demokratike mbi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026.
Kërkesa e opozitës ishte pika e parë e rendit të ditës. Pas diskutimeve, palët arritën dakordësinë për datën e zhvillimit të mocionit.
Ndërkohë, në mbledhje u shqyrtuan edhe projektprogrami i punës së Kuvendit dhe projektkalendari i punimeve për periudhën 7-25 dhjetor 2026.
Për këto dy çështje nuk u arrit mirëkuptimi mes palëve, ndaj ato do t’i kalojnë për votim seancës plenare.
“Në drejtimin e Kryetarit, z. Niko Peleshi, u mblodh Konferenca e Kryetarëve. Pika e parë në rendin e ditës ishte shqyrtimi i kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për Mocion me zhvillim debati. Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve arriti mirëkuptimin dhe vendosi me dakordësi që mocioni me debat të zhvillohet në seancën e datës 10 Dhjetor 2026.
Pika e dytë dhe e tretë në rendin e ditës ishte shqyrtimi i projektprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 7 – 25 dhjetor 2026 dhe shqyrtimi i projektkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 7 – 25 dhjetor 2026. Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti mirëkuptimin dhe çështja i kaloi për votim seancës plenare”, thuhet në njoftim.












