Shpërthim i fuqishëm në Greqi, i vendoset tritol lokalit të shqiptarit, dy persona me motor hodhën eksplozivin

Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar në orët e para të mëngjesit në një kafene në zonën e Nea Ionias, në Athinë të Greqisë. Një sasi eksplozivi ishte vendosur jashtë lokalit, në rrugën Sinopis, ndërsa shpërthimi ndodhi pak pas orës 04:00.
Sipas raportimeve të mediave greke pronarët e kafenesë janë me origjinë shqiptare.
Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në ambientet e biznesit. Banorët e zonës kanë raportuar se kanë dëgjuar një zhurmë shumë të fortë, e cila i ka zgjuar nga gjumi.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, lënda shpërthyese është vendosur nga një person i cili mbante skafandër dhe udhëtonte me motor, së bashku me një person tjetër. Pak minuta pasi ata janë larguar, eksplozivi ka shpërthyer.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ekspertët e Njësisë për Çaktivizimin e Pajisjeve Shpërthyese dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë kryer kontrollet përkatëse.
Hetuesit po punojnë për identifikimin e dy personave që vendosën eksplozivin dhe për zbardhjen e motiveve të sulmit.





