Partia Demokratike po mbledh propozimet nga degët për figurat me të cilat mund të garojë në zgjedhjet lokale të 9 majit të vitit të ardhshëm. Afati për mbledhjen e kandidaturave përfundon të hënën e ardhshme, por deri më tani janë mësuar disa prej emrave që mund të hyjnë në këto zgjedhje. Nga propozimet e bazës së demokratëve, të paktën dy deputetë mund ta lenë mandatin dhe të garojnë në zgjedhjet e 9 majit. Gjin Gjoni mund të garojë për bashkinë e Lezhës dhe Xhelal Mziu mund të rikthehet në garën për Bashkinë e Kamzës. Në Kavajë, Mirditë e Has Partia Demokratike pritet të garojë kryetarët aktualë të bashkive, përkatësisht Fisnik Qosja, Albert Mëlyshi dhe Miftar Dauti. Ajo që bie në sy është që në Tiranë baza ka mbështetur Ilir Alimehmetin, në Berat Parid Mahmutajn, në Durrës Ardian Gashin, Albert Malajn në Tepelenë dhe Aulon Kalanë në Krujë. Katër emra janë mbështetur nga baza për Bashkinë e Kurbinit, mes të cilëve edhe deputetja aktuale, Elda Hoti.