Samsung ka publikuar detaje rreth teknologjisë që qëndron pas funksioneve të gjetjes së pajisjes Galaxy SmartTag3, duke zbuluar edhe një veçori të re që e bën gjurmuesin më praktik.

Përmirësimi kryesor është Compass View, i cili përdor teknologjinë Bluetooth 6.0 Channel Sounding për të treguar drejtimin dhe distancën e etiketës deri në 60 metra larg. Kjo është rreth tri herë më shumë sesa rrezja e ofruar nga SmartTag2, transmeton Telegrafi.


Ndryshe nga Bluetooth Low Energy, i cili e vlerëson afërsinë përmes fuqisë së sinjalit, Channel Sounding mat ndryshimet në fazën dhe kohën e përhapjes së valëve radio në disa kanale, duke mundësuar përcaktim më të saktë të distancës. Kur telefoni afrohet në më pak se 20 metra nga etiketa, aktivizohet teknologjia UWB për saktësi edhe më të madhe.

Megjithatë, Channel Sounding për momentin mbështetet vetëm nga modelet Galaxy Z Fold8 Ultra, Z Fold8, S26 Ultra dhe S26+.

Kur etiketa ndodhet jashtë rrezes së Bluetooth-it të telefonit, ajo mbështetet te rrjeti Galaxy Find Network, i cili përbëhet nga më shumë se 900 milionë pajisje Galaxy. Këto pajisje e përcjellin në mënyrë anonime sinjalin e etiketës drejt serverëve të SmartThings.

Përmes funksionit Location History, përdoruesit mund të shohin në hartë vendet ku është zbuluar etiketa gjatë shtatë ditëve të fundit, sipas rendit kronologjik. Të dhënat më të vjetra fshihen automatikisht.

Samsung thotë se të dhënat e vendndodhjes janë të enkriptuara me një çelës privat unik për secilën pajisje. Kjo nënkupton se vetëm pronari mund t’i shohë ato, ndërsa as serverët e llogarive të Samsung-ut dhe as pajisjet që përcjellin sinjalin nuk kanë qasje në këtë informacion.

Një tjetër risi vjen përmes përditësimit të aplikacionit SmartThings. Funksioni “Notify when arriving or leaving”, i cili më parë funksiononte vetëm me SmartThings Station, tashmë mbështetet edhe nga Smart Home Hubs dhe televizorët Samsung me funksionalitet të integruar të hub-it.

Kështu, përdoruesit mund të marrin njoftim kur një kafshë shtëpiake ose një objekt i pajisur me SmartTag3 hyn apo del nga shtëpia. Meqë sistemi kontrollon nëse hub-i po e pranon sinjalin e etiketës, kjo mënyrë mund të jetë më e besueshme se GPS-i, i cili shpesh nuk përcakton me saktësi vendndodhjen brenda ndërtesave.

Samsung gjithashtu mundëson ndarjen e vazhdueshme të vendndodhjes së një etikete me deri në 19 anëtarë të një grupi SmartThings, përfshirë përdoruesit e pajisjeve iOS. Alternativisht, mund të dërgohen lidhje me vlefshmëri prej 12 orësh, 24 orësh ose shtatë ditësh, te deri në pesë persona që kanë llogari Samsung, pa qenë nevoja ta instalojnë aplikacionin SmartThings.

Megjithatë, disa funksione, përfshirë Compass View, Ring Phone dhe Left Behind Alert, nuk janë të disponueshme në pajisjet iOS. /Telegrafi/