Një defekt në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike ka lënë pa drita një pjesë të qytetit të Prrenjasit, prej gati 20 orësh.
Problemi është konstatuar mesditën e së hënës, rreth orës 12:00, ndërsa pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të punës, furnizimi me energji elektrike nuk është rikthyer ende. Sipas OSHEE-së, defekti është shkaktuar në një linjë nëntokësore, çka ka vështirësuar identifikimin e pikës së dëmtuar.
Për këtë arsye, është dashur kohë për lokalizimin e defektit dhe më pas për hapjen e gropës ku do të kryhen punimet e riparimit. Për zgjidhjen e situatës janë angazhuar tre grupe pune, të cilat po punojnë për rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
OSHEE ka njoftuar konsumatorët se energjia pritet të rikthehet përpara mesditës së sotme. Ndërkohë, ndërprerja e zgjatur ka shkaktuar probleme të konsiderueshme, veçanërisht për bizneset, por edhe për familjet që përdorin energjinë elektrike për ngrohje.
Situata është bërë edhe më problematike për banorët për shkak të temperaturave të ulëta, pasi gjatë natës së kaluar termometri në Prrenjas ka zbritur në vetëm 1 gradë Celsius. Banorët presin tashmë përfundimin e ndërhyrjes dhe rikthimin e energjisë elektrike pas afro 20 orësh ndërprerje.
© SYRI.net