Corvette që qëndroi e braktisur për 25 vjet, i nënshtrohet pastrimit të parë të thellë
Koha nuk kursen as makinat, sidomos ato që lihen të braktisura për vite të tëra. Një Chevrolet Corvette C4, e cila kishte qëndruar për 25 vjet në një hambar, iu nënshtrua së fundmi një pastrimi të plotë, duke zbuluar dëmet e shkaktuara nga koha.
Pastrimi u realizua nga ekipi i Stauffer Garage, i cili largoi shtresat e pluhurit dhe papastërtive të grumbulluara ndër vite. Pas larjes, u bë e qartë se boja dhe shtresa mbrojtëse e saj ishin dëmtuar ndjeshëm, transmeton Telegrafi.
Në dyer mungojnë pjesë të mëdha të shtresës së llakut, ndërsa edhe pjesët e tjera të karrocerisë kanë nevojë për ndërhyrje më serioze. Për ta rikthyer pamjen e saj, makina ka nevojë për rilyerje të plotë, pasi lustrimi dhe dylli nuk do të mjaftonin.
Corvette C4 është një model mbi 40-vjeçar dhe, megjithëse ka kaluar më shumë se gjysmën e jetës së saj e braktisur, gjendja e jashtme nuk është aq e keqe sa mund të pritej. Megjithatë, rikthimi i saj në gjendjen fillestare kërkon shumë punë.
- YouTube www.youtube.com
Edhe pjesa e brendshme ka pësuar dëme të konsiderueshme. Gjatë viteve, makina ishte bërë strehë për kafshë të ndryshme, ndërsa minjtë kishin përdorur bagazhin si vendqëndrim. Madje, në dyshemenë e kabinës u gjet edhe skeleti i një miu.
James vendosi të mos i hiqte ulëset, nga frika se mund të dëmtonte mekanizmat dhe mbajtëset e tyre, të cilat mund të jenë bërë më të brishta me kalimin e kohës.
Pastrimi i kabinës ishte gjithashtu i vështirë për shkak të hapësirës së kufizuar. Corvette është një makinë e ulët, ndërsa pjesa e brendshme, veçanërisht hapësira për këmbët, është mjaft e ngushtë.
Ulëset dhe konzolla qendrore shfaqin shenja të dukshme konsumimi, por makina nuk konsiderohet e parikuperueshme. Pastrimi i thellë është vetëm hapi i parë në procesin e rikthimit të saj në gjendje të mirë. /Telegrafi/




























