Health & Beauty Lifestyle

Dy periudhat kur plakemi më shpejt!

Plakja nuk ndodh me të njëjtin ritëm gjatë gjithë jetës. Trupi i njeriut kalon nëpër periudha kur ndryshimet biologjike përshpejtohen ndjeshëm, dhe shkencëtarët kanë identifikuar dy mosha veçanërisht të rëndësishme.

Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Nature Communications, ndryshimet më të mëdha në sistemin imunitar vërehen rreth moshës 40-vjeçare dhe pas të 60-ave. Studiuesit e Fakultetit të Mjekësisë Duke-NUS në Singapor analizuan qelizat imunitare të 1 828 personave të shëndetshëm, të moshave nga 19 deri në 97 vjeç.

Përmes analizimit të aktivitetit të gjeneve, ata zbuluan se plakja e sistemit imunitar nuk zhvillohet në mënyrë të njëtrajtshme. Rreth moshës 40-vjeçare, qelizat T, të cilat ndihmojnë organizmin të luftojë infeksionet, pësojnë ndryshime të rëndësishme gjenetike.

Një tjetër fazë ndryshimesh shfaqet pas moshës 60-vjeçare, kur vërehet rritje e inflamacionit dhe dobësim i mekanizmave qelizorë që kontrollojnë ARN-në dhe proteinat. Shkencëtarët zbuluan gjithashtu dallime mes burrave dhe grave.

Te gratë, disa qeliza T që ndihmojnë në luftimin e kancerit ruanin aktivitetin e tyre, ndërsa në moshat më të avancuara shfaqeshin shenja plakjeje në qeliza të tjera imunitare. Te burrat u vunë re ndryshime në qelizat T ndihmëse që në fazat më të hershme të jetës.

Sipas studiuesit Jacques Behmoaras, këto zbulime mund të ndihmojnë në zhvillimin e strategjive për ngadalësimin e plakjes së sistemit imunitar. Megjithatë, studimi nuk provon se i gjithë organizmi plaket papritur në këto dy mosha, por identifikon periudha të rëndësishme ndryshimesh në funksionimin e imunitetit.