Këngëtarja Arta Bajrami ka ndarë një mesazh sensibilizues për autizmin, duke folur hapur për përvojën e saj si nënë e dy fëmijëve në spektër.
E ftuar në emisionin “Live me Luizin” në Top Channel, ajo tregoi se si e ka përballuar këtë përvojë dhe çfarë këshille do t’u jepte prindërve të tjerë që ndodhen në të njëjtën situatë.
“Autizmin mos e merrni si fatkeqësi. Së pari, këtë do t’ua jepja si këshillë prindërve që kanë fëmijë me autizëm, le ta shohin si një lloj bekimi, sepse ata janë në botën e tyre. Unë mendoj se janë e ardhmja e botës, sepse kanë një botë të tyren, funksionojnë ndryshe, mendojnë ndryshe, nuk dinë të të gënjejnë, janë të drejtpërdrejtë. Janë karaktere të veçanta”, u shpreh këngëtarja.
Arta tregoi se pranimi i kësaj bote dhe përpjekja për ta kuptuar atë kanë qenë vendimtare për forcën e saj si nënë.
“Dua të hyj në botën e autizmit, ta pranoj dhe të kënaqem me autizmin, jo të vuaj me autizmin”, tha ajo.
Këngëtarja zbuloi gjithashtu se vendimi për të folur hapur për këtë pjesë të jetës së saj ka nxitur reagime të shumta nga shqiptarë në vende të ndryshme të botës. Ajo tha se ka marrë mesazhe nga prindër që kanë fëmijë në spektër dhe që kanë gjetur te rrëfimi i saj një mundësi për të ndarë më lirshëm përvojat e tyre.
Përmes këtij rrëfimi, Arta Bajrami përcolli një mesazh për pranimin, dashurinë dhe mirëkuptimin ndaj fëmijëve me autizëm, duke kujtuar se çdo fëmijë meriton mbështetje dhe mundësi për t’u zhvilluar.









