Veliaj mungon në seancën e GJKKO-së, dërgon mesazh nga burgu: Nuk kërkoj botox apo mbjellje flokësh, por të operohem në spitalin që zgjedh familja ime

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk është paraqitur fizikisht në seancën e kësaj të marte në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku pritej të shqyrtoheshin kërkesat paraprake të mbrojtjes.
Megjithatë, në sallën e gjyqit është lexuar një mesazh i dërguar nga IEVP-ja, ku ai shpjegon arsyet e mungesës dhe kërkon ndërhyrjen e gjykatës për operimin e këmbës së dëmtuar.
Në mesazhin e tij, Veliaj pretendon se, pavarësisht dëshirës për të marrë pjesë në seancë, gjendja shëndetësore nuk ia lejon një gjë të tillë. Ai bëri të ditur se mbrojtja do t’i vërë në dispozicion trupës gjykuese dokumentacionin mjekësor.
Veliaj kërkon që ndërhyrja kirurgjikale të kryhet nga një mjek dhe në një spital të zgjedhur nga familja e tij, duke kundërshtuar përcaktimin e institucionit ku duhet të operohet.
“Megjithë vullnetin tim për të marrë pjesë në seancën gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të prokurorisë, mbrojtja ime do t’ju vërë në dispozicion disa dokumente shëndetësore.
Jam i ndërgjegjshëm se kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botox, as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime.
Nuk duhet të vendosë askush se kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO-ja të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, thuhet në mesazhin e Veliajt.
Kryebashkiaku kishte kërkuar më herët që operacioni të kryhej në Tiranë, në një spital të zgjedhur prej tij dhe familjarëve, dhe jo në Spitalin Memorial të Fierit, ku e kishte caktuar Drejtoria e Burgjeve.




