Bota

Një tufë flokësh të George Washington shitet në ankand për…

Një tufë flokësh që i përkiste presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Washington, është shitur në ankand për 4 mijë dollarë. Relikja historike, e vendosur në një kornizë të posaçme, u shit të shtunën nga shtëpia e ankandeve Richmond Auctions në Karolinën e Jugut. Identiteti i blerësit nuk është bërë publik.

Tufa e flokëve i përkiste fillimisht John Gadsby, një pronar i njohur bujtine në Alexandria të Virxhinias, i cili kishte miqësi me Washingtonin dhe e kishte pritur atë për darkë në vitin 1799, pak kohë përpara vdekjes së presidentit të parë amerikan.

Gadsby kishte organizuar gjithashtu festimet e ditëlindjes së Washingtonit në vitet 1798 dhe 1799. Sipas një deklarate të vitit 1928 nga mbesa e tij, Julia Ten Eyck McBlair, gjyshi i saj e kishte ruajtur tufën e flokëve si kujtim të miqësisë me presidentin amerikan dhe e kishte vendosur në një kornizë poshtë portretit të tij në shtëpinë e familjes.

Më vonë, objekti u mor nga koleksionisti John K. Lattimer, i cili e kishte siguruar atë nga një pasardhës i familjes Gadsby.

Megjithatë, shuma prej 4 mijë dollarësh nuk përbën një rekord për reliket e këtij lloji. Në vitin 2021, tri fije flokësh që besohet se i ishin prerë Washingtonit pranë momentit të vdekjes u shitën në ankand për afro 40 mijë dollarë.

Sipas muzeut Mount Vernon, në ish-rezidencën e Washingtonit ruhen të paktën 50 tufa flokësh të tij. Në shekujt XVIII dhe XIX, ruajtja e flokëve të njerëzve të dashur ose figurave të admiruara ishte një praktikë e përhapur, ndërsa ato vendoseshin shpesh në medaljone, unaza apo korniza si kujtime personale.