Kush janë dy “ushtarët” që nuk e zbatuan urdhrin e “Skënderbeut” për “Mamicën”?
Erion Braçe dhe Bledi Çuçi janë dy deputetët socialistë që abstenuan gjatë votimit për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.
Kërkesa për votim u paraqit nga kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, ndërsa vetë Spiropali nuk ishte e pranishme në mbledhje.
Sipas informacioneve nga zhvillimet brenda grupit, gjatë diskutimeve nuk u paraqitën argumente të tjera për përjashtimin e deputetes, përtej vendimit të marrë më herët nga Asambleja Kombëtare e PS-së.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, iu referua pikërisht këtij vendimi, duke deklaruar se Asambleja kishte vendosur dhe se Spiropali konsiderohej e përjashtuar.
Mbledhja e grupit parlamentar nisi në orën 09:30 dhe përfundoi menjëherë pas votimit.
Abstenimi i Braçes dhe Çuçit vjen në një kohë kur brenda Partisë Socialiste janë shfaqur qëndrime të ndryshme lidhur me kërkesën e Edi Ramës për largimin e Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga strukturat drejtuese të partisë.
Erion Braçe ishte ndër deputetët që kundërshtuan këtë kërkesë gjatë mbledhjes së Asamblesë në Gjirin e Lalzit, së bashku me Fatmir Xhafajn dhe Pandeli Majkon.
Me përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe largimin e mëparshëm të Marjana Koçekut, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste zbret në 81 deputetë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



