Të rinjtë e moshës 15 deri në 24 vjeç nga Komuna e Prishtinës do të kenë mundësi të zhvillojnë ide inovative për zgjidhjen e problemeve në komunitetin e tyre dhe të përfitojnë grante për realizimin e projekteve më të mira përmes programit UPSHIFT.

Aplikimet për këtë program janë të hapura deri më 6 dhjetor 2026, ndërsa punëtoria do të mbahet nga 11 deri më 13 dhjetor në Prishtinë.


Programi mbështetet nga UNICEF-i në Kosovë, në partneritet me Komunën e Prishtinës, ndërsa implementohet nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.

UPSHIFT është iniciativë e UNICEF-it për inovacion social, e cila synon fuqizimin e të rinjve përmes zhvillimit të aftësive në zgjidhjen e problemeve, kreativitet, bashkëpunim, udhëheqje dhe komunikim.


Përmes punëtorive interaktive, mentorimit dhe punës në grupe, pjesëmarrësit do të identifikojnë sfidat me të cilat përballen komunitetet e tyre dhe do të zhvillojnë ide për zgjidhje konkrete e të qëndrueshme.

Një nga mundësitë kryesore të programit është mbështetja financiare për ekipet që prezantojnë idetë më premtuese. Ato do të kenë mundësi të përfitojnë grante për zbatimin e projekteve, si dhe mbështetje të mëtejshme përmes mentorimit.

Idetë mund të përfshijnë fusha të ndryshme, si mbrojtja e mjedisit, arsimi, përfshirja sociale, teknologjia dhe çështje të tjera që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve.

Programi synon të përfshijë të rinj nga të gjitha lagjet, fshatrat dhe komunitetet e Prishtinës, pa dallim gjinie, përkatësie etnike, prejardhjeje apo statusi socio-ekonomik.

Të interesuarit mund të aplikojnë online deri më 6 dhjetor 2026, përmes formularit të aplikimit të programit UPSHIFT.

Organizatorët kanë ftuar të rinjtë që kanë identifikuar një problem në komunitetin e tyre dhe kanë ide për zgjidhjen e tij, të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e punëtorisë treditore. /Telegrafi/