Kurtaj u bë i njohur për sulmin kibernetik ndaj Rockstar Games në vitin 2022, kur arriti të vidhte materiale konfidenciale nga loja ende e papërfunduar GTA 6. Ai kishte marrë 90 video, me afro 60 minuta pamje nga loja, si dhe të dhëna të brendshme të kompanisë.
Arion Kurtaj, 21-vjeçari nga Oksfordi që sulmoi sistemet e disa kompanive të njohura, përfshirë Rockstar Games, është dënuar me shtatë vite burg, por është liruar me kusht në të njëjtën ditë. Vendimi u mor nga Gjykata e Kurorës në Woolwich të Britanisë së Madhe, e cila vlerësoi se koha e kaluar prej tij në spital të sigurisë së lartë dhe në paraburgim ishte e mjaftueshme.
Kurtaj u bë i njohur për sulmin kibernetik ndaj Rockstar Games në vitin 2022, kur arriti të vidhte materiale konfidenciale nga loja ende e papërfunduar GTA 6. Ai kishte marrë 90 video, me afro 60 minuta pamje nga loja, si dhe të dhëna të brendshme të kompanisë.
Pas vjedhjes së materialeve, ai tentoi të shantazhonte Rockstar Games. Përmes sistemit të brendshëm të komunikimit Slack, ai i kërkoi kompanisë që ta kontaktonte në Telegram brenda 24 orëve. Në të kundërt, kërcënoi se do të publikonte edhe kodin burimor të lojës. Meqë kompania refuzoi të bashkëpunonte, Kurtaj publikoi videot dhe kodin burimor në një forum online, duke përdorur emrin TeaPotUberHacker.
Sipas Rockstar Games, sulmi i shkaktoi kompanisë rreth 5 milionë dollarë dëme, si dhe mijëra orë punë shtesë për rikuperimin e sistemeve. Përveç dëmeve financiare, sulmi zbuloi edhe informacione që kompania synonte t'i mbante sekret deri në fushatën e marketingut të lojës.
Si arriti të kryente sulmin?
Në kohën kur sulmoi Rockstar Games, Kurtaj ndodhej në një hotel Travelodge në Bicester, ku ishte vendosur nën mbrojtjen e policisë. Ai ishte transferuar atje për shkak të kërcënimeve nga hakerë rivalë, të cilët e akuzonin për vjedhjen e sasive të mëdha të Bitcoin-it. Edhe pse autoritetet ia kishin konfiskuar kompjuterin, ai arriti të kryente sulmin duke përdorur një pajisje Amazon Fire Stick, të lidhur me televizorin e dhomës së hotelit. Për këtë qëllim përdori gjithashtu një tastierë dhe një maus Bluetooth.
Kurtaj ishte pjesë e grupit të hakerave Lapsus$, me të cilin kreu disa sulme kibernetike kur ishte 16 dhe 17 vjeç. Mes kompanive të shënjestruara ishin Rockstar Games, Revolut, Uber dhe BT/EE. Sulmet ndaj këtyre kompanive u realizuan kryesisht përmes teknikave të inxhinierisë sociale. Këto metoda përfshijnë mashtrimin e punonjësve për t'i bindur ata të hapin lidhje të rrezikshme ose të zbulojnë informacione konfidenciale, duke u dhënë hakerave akses në sistemet e brendshme.
Pse u lirua në të njëjtën ditë me dënimin?
Fillimisht, Kurtaj ishte dënuar me qëndrim të pacaktuar në një spital të sigurisë së lartë, për shkak të gjendjes së rëndë të autizmit. Më pas, në janar, ai u vlerësua si i aftë për tu gjykuar dhe u transferua në një burg të zakonshëm. Në seancën e fundit, gjykatësi Turner vendosi se koha që 21-vjeçari kishte kaluar në spital dhe në paraburgim ishte e mjaftueshme. Për këtë arsye, ai u dënua, por u lirua me kusht në të njëjtën ditë.
Megjithatë, Kurtaj do të jetë nën një urdhër pesëvjeçar për parandalimin e krimeve të rënda. Ky urdhër vendos kufizime në aktivitetin e tij në internet, përfshirë ndalimin e përdorimit të platformave Telegram dhe Discord. Gjatë shpalljes së vendimit, gjykatësi iu drejtua të riut duke i thënë se ishte shumë i talentuar, por e paralajmëroi të mos e përsëriste më një sjellje të tillë.
Sulmet shkaktuan miliona paund dëme
Sipas vlerësimeve, sulmet kibernetike të Kurtajt dhe grupit Lapsus$ u shkaktuan kompanive të prekura dëme prej rreth 10 milionë paundësh. Përveç kompanive, hakerat shënjestruan edhe investitorë të kriptomonedhave, duke përdorur informacionet e vjedhura nga sistemet e bizneseve. Prokuroria pretendoi se grupi kishte përvetësuar të paktën 300 mijë dollarë nga viktima individuale.
Kurtaj u deklarua gjithashtu fajtor për sulme fizike ndaj punonjësve gjatë kohës që ishte në paraburgim, përfshirë disa raste kafshimi. Në burg, ai u kap edhe me një telefon celular, të cilin e kishte përdorur për tu dërguar mesazhe tallëse policëve dhe për të publikuar përditësime në Snapchat.
© SYRI.net
Veliaj letër nga burgo/ GJKKO tërhiqet ne dhomë këshillim, prokurori: E njëjta kërkesë, as serioze as ligjore
Atentati ndaj Sel Çamit dhe nipit të tij në Fier/ Dyshohet se autorët përdorën dron dhe uniforma policie
I prenë rrugën dhe tentuan ta rrëmbenin me forcë, prangosen xhaxha dhe nip pas konfliktit me 41-vjeçarin