SPAK kërkon 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin Asllan Dogjani

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin Asllan Dogjani, masë e cila kërkohet të konvertohet në 3 vite shërbim prove.
Prokurorja Manjola Kajana ka kërkuar që Dogjani të shpallet fajtor për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Seanca gjyqësore është shtyrë për datën 9 dhjetor. Pas paraqitjes së konkluzioneve të mbrojtjes, gjyqtari Bib Ndreca pritet të shpallë vendimin për çështjen.
Ish-deputeti Asllan Dogjani është kallëzuar nga biznesmeni Ilirjan Çela lidhur me blerjen e një apartamenti me vlerë 134 mijë euro në vitin 2006.
Sipas pretendimeve të kallëzuesit, Dogjani e ka blerë apartamentin duke paguar shumën përkatëse dhe jo duke e përfituar në këmbim të shërbimeve të konsulencës juridike që, sipas deklarimeve të ish-ligjvënësit, i kishte ofruar ndërtuesit.
Çështja tashmë është në fazën përfundimtare të shqyrtimit gjyqësor, ndërsa vendimi pritet të shpallet pas përfundimit të konkluzioneve të palëve.




