Një copë Shqipërie në zemër të Amerikës, flamuri kuqezi do të valojë në Worcester për Ditën e Pavarësisë

Flamuri kuqezi do të valojë përpara ndërtesës së Bashkisë së qytetit Worcester, në shtetin amerikan të Massachusetts, në nderim të 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Komuniteti shqiptaro-amerikan në këtë qytet do të shënojë sot, më 24 nëntor, përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me një ceremoni të veçantë, e cila do të përfshijë muzikë, valle tradicionale dhe recitime poezish.
Ceremonia e ngritjes së flamurit shqiptar, e cila do të nisë në orën 18:00 sipas kohës lokale, organizohet nga grupi rinor i Kishës Ortodokse Shqiptare të Shën Marisë, shkruan FirstBalkanMedia.
Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë kryetari i Bashkisë së Worcesterit, Joe Petty, sekretari i Bashkisë, Niko Vangjeli, si dhe anëtarë të Këshillit të Qytetit.
Atmosferën festive do ta pasurojnë grupi i vallëzimit “ValleTona” dhe vëllezërit Delia, të cilët do të interpretojnë këngë tradicionale popullore shqiptare.
Në kuadër të programit festiv do të intonohen edhe himnet kombëtare të Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes kësaj ceremonie, komuniteti shqiptar do të nderojë shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, si dhe trashëgiminë historike të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, transmeton Telegrafi.
Pas ngritjes së flamurit, aktiviteti do të vazhdojë brenda ndërtesës së Bashkisë, ku në orën 18:30 është paraparë një fjalim para Këshillit të Qytetit.
Worcester, qyteti i dytë më i madh në Massachusetts, ndodhet rreth 65 kilometra në perëndim të Bostonit dhe njihet për komunitetin shqiptaro-amerikan me traditë të hershme.
Ngritja e flamurit kuqezi në këtë qytet amerikan është një tjetër dëshmi e ruajtjes së identitetit, kulturës dhe traditave kombëtare nga shqiptarët përtej Atlantikut./Telegrafi/

































