Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti në takim Komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneralmajor Ferdinant Dimo.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me theks të veçantë në fushën e arsimimit dhe edukimit ushtarak, shkëmbimin e përvojave profesionale, si dhe mundësitë për zgjerimin dhe avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional.


“Gjenerallejtënant Jashari vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy forcave, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të aktiviteteve në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak, si dhe të shkëmbimit të përvojave, në funksion të zhvillimit të mëtejmë të njohurive dhe aftësive profesionale të personelit ushtarak.

Në përfundim, të dy gjeneralët riafirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve ushtarake, duke vlerësuar se bashkëpunimi në fushën e arsimimit dhe edukimit ushtarak përbën një dimension të rëndësishëm në zhvillimin profesional dhe institucional të të dy forcave”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/