Tuesday / November 24 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Prezantohet sistemi e-Gjoba, Rama: Nuk do të ketë më gjoba me letër, 54 institucione online

Share Share Icon

Gjobat e vendosura nga institucionet publike do të administrohen përmes një sistemi të unifikuar elektronik, duke i dhënë fund procedurave dhe njoftimeve tradicionale në letër.

Sistemi i ri “e-Gjoba”, i prezantuar sot do të mundësojë që qytetarët dhe bizneset të informohen në kohë reale për penalitetet, të kontrollojnë detyrimet, të kryejnë pagesat dhe të paraqesin ankimet në mënyrë elektronike. Sistemi do të përfshijë 54 institucione që do të jenë të përfshira në një regjistër unik.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi prezantimin e sistemit një tjetër stacion të rëndësishëm në procesin e transformimit digjital të administratës publike, duke theksuar se synimi është të mbyllet një periudhë e gjatë e vendosjes së gjobave në fletë letre, të cilat në disa raste ishin edhe të palexueshme.

“Është një tjetër stacion i rëndësishëm për transformimin. Krijohen premisat që të mbyllet një epokë e gjatë për gjobat e vendosura në copa letre, ndonjëherë të palexueshme. Çdo qytetari i jepet mundësia të kontrollojë në mesazhet e tij në e-Albania gjobat që ka. Do të bëhet e mundur që gjobat të paguhen drejtpërdrejt nga telefoni dhe të apelohen gjithashtu”, deklaroi kryeministri.

Një nga elementet që Rama veçoi është gjurmueshmëria e procesit të vendosjes së gjobave. Sipas tij, sistemi do të mundësojë identifikimin e punonjësve që vendosin penalitetet dhe do t’u japë drejtuesve të institucioneve mundësinë të monitorojnë veprimtarinë e tyre.

“Nuk ka më gjobitje pa gjurmueshmëri, pa bazë ligjore. Identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjobat, duke u dhënë mundësi drejtuesve të institucioneve të shohin si në një hartë sjelljen e burimeve njerëzore”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama kërkoi që sistemi i ri të vihet në zbatim sa më shpejt, duke theksuar se vendosja e gjobave duhet të kryhet përmes platformës elektronike dhe jo më përmes dokumenteve në letër. Ai kërkoi që institucionet përgjegjëse, përfshirë inspektoratet dhe Policinë e Shtetit, të ndjekin zbatimin e sistemit

Ibrahimaj: Sistemi i ri përmirëson klimën për biznesin

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se sistemi i ri është një hap tjetër drejt përfundimit të reformës së inspektimeve, e cila synon të rrisë transparencën dhe të përmirësojë komunikimin me bizneset dhe qytetarët.

Ajo theksoi se 54 institucionet e përfshira kanë përgjegjësi ligjore për të monitoruar zbatimin e ligjit, por deri më tani kanë operuar në mënyrë të pavarur në administrimin dhe vendosjen e penaliteteve.

“Që në krye të herës, kur filluam reformën e inspektimeve, qëllimi ishte një dhe i vetëm: të rrisim transparencën, të rrisim komunikimin me bizneset në radhë të parë, por në këtë rast edhe me qytetarët, me qëllim që të ketë më shumë parashikueshmëri dhe sa më shumë informacion të dhënë. Sistemi i gjobave që lançojmë sot është një hap më shumë drejt finalizimit të asaj reforme”, deklaroi Ibrahimaj.

Sipas ministres Ibrahimaj rëndësi të veçantë ka njoftimi në kohë i subjektit të penalizuar, në mënyrë që biznesi të mos përballet me detyrime për të cilat nuk ka pasur dijeni, apo me kamatëvonesa të krijuara si pasojë e mungesës së informacionit.

“Është e rëndësishme që, kur një biznes merr një penalitet, të jetë i informuar jo vetëm mbi penalitetin që merr, por edhe në kohë që ky penalitet është vendosur. Të jetë i informuar në kohë për afatet e ankimimit dhe, sigurisht, të mos e gjejë veten me një penalitet të vendosur pa pasur informacion, i cili mund të gjenerojë edhe kamatëvonesa, por edhe të mos dijë të drejtat dhe detyrimet që ai ka”, tha ajo.

Ibrahimaj nënvizoi se përmes sistemit të ri, i gjithë informacioni do të jetë i përqendruar në një vend dhe bizneset do të kenë mundësi të njihen me penalitetin, afatet dhe procedurat përkatëse.

Ajo sqaroi se njoftimet do të dërgohen në kohë reale përmes telefonit dhe WhatsApp-it, në momentin që një prej 54 institucioneve të përfshira vendos një penalitet.

“Pra, në momentin që një institucion nga 54 institucionet e listuara do të vendosë një penalitet, çdo qytetar apo biznes do të ketë në telefonin e vet informacionin mbi gjobën që ka marrë, mbi sistemin e ankimimit, mbi detyrimet për afatet e pagesës së penalitetit dhe gjithë bazën ligjore që e rregullon këtë”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, sistemi nuk ka rëndësi vetëm për informimin e subjekteve të penalizuara, por edhe për krijimin e një klime më transparente dhe më të parashikueshme për sipërmarrjen.

“Unë mendoj që ky sistem është jashtëzakonisht i vlefshëm, qoftë për biznesin, qoftë për qytetarin, pasi do të informohen në kohë reale. Mjetet e komunikimit janë nëpërmjet telefonit, nëpërmjet ËhatsApp-it. Pra, në momentin që një institucion nga 54 institucionet e listuara do të vendosë një penalitet, çdo qytetar apo biznes do të ketë në telefonin e vet informacionin mbi gjobën që ka marrë, mbi sistemin e ankimimit, mbi detyrimet për afatet e pagesës së penalitetit dhe gjithë bazën ligjore që e rregullon këtë.

Është një hap më tej drejt rritjes së transparencës, është një hap më tej drejt rritjes së konkurrencës dhe një hap më tej drejt përmirësimit të klimës së biznesit”.

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Heqja nga kalendari i akcizës nuk ndalon tregtimin e qeskave me nikotinë

Nga Fatmir Kazazi, konsulent fiskal Arsyeja e këtij shkrimi është një gabim, në gjykimin tim, i bërë gjatë shqyrtimit të paketës fiskale 2027 në Ko...

2 hours më parë 5 Min Lexim

Pas 23 vitesh në euro, apartamentet fillojnë të shiten në lekë, shtrenjtohen indirekt çmimet

Rënia e euros ka sjellë që pas 23 vitesh çmimet e apartamenteve në vend të tregtohen në monedhën vendase. Për agjentët imobiliarë, ndryshimi i nisu...

6 hours më parë 6 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!