
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, i akuzuar për fshehje pasurie. Në pretencën e saj, prokuroria kërkoi që dënimi të konvertohet në 3 vite shërbim prove.
Në seancën gjyqësore, prokurorja Manjola Kajana kërkoi që Dogjani të shpallet fajtor për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Seanca e radhës është caktuar më 9 dhjetor, kur pritet të paraqiten konkluzionet e mbrojtjes. Më pas, gjyqtari Bib Ndreca pritet të shpallë vendimin.
Çështja lidhet me blerjen e një apartamenti në vitin 2006, me vlerë 134 mijë euro, për të cilin ish-deputeti u kallëzua nga biznesmeni Ilirjan Çela.
Ky i fundit pretendon se Dogjani e ka blerë apartamentin duke paguar shumën përkatëse dhe jo duke e përfituar si shpërblim për shërbime konsulence juridike ndaj ndërtuesit, siç ka deklaruar vetë ish-ligjvënësi.




