23 vite me €, apartamentet nisin të shiten në Lek! Çmimet fluturojnë kacafiu

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 24.11.2026, 11:48

Rënia e pandalshme e euros, e cila zbriti për herë të parë nën kufirin e 90 lekëve, ka bërë që tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri të braktisë euron pas 23 vitesh dhe të kthehet te monedha vendase.

Sipas agjentëve imobiliarë, ky ndryshim ka nisur prej tre muajsh dhe po shtrihet në të gjithë vendin duke nisur nga kontratat "në gropë" (ku euro është zhdukur plotësisht) e deri te apartamentet e përfunduara dhe rishitjet. Arsyeja kryesore është frika e ndërtuesve dhe shitësve se mos humbasin para nga luhatjet e kursit.

Edhe pse leku është forcuar, qytetarët nuk po përfitojnë ulje çmimesh. Përkundrazi, apartamentet po shtrenjtohen indirekt për shkak të konvertimit. Për shembull, një pronë që më parë kushtonte 300 mijë euro, tani shitet 300 milionë lekë, çka me kursin e sotëm përkthehet në rreth 330 mijë euro (ose 11% më shtrenjtë).

Ky kalim në lekë vjen në një moment kur kërkesa për apartamente ka ngecur në vend, ndërsa në Tiranë çmimet në kullat e reja kalojnë mbi 6 mijë euro për metër katror, një shifër e papërballueshme kur paga mesatare bruto në vend është 920 mijë lekë.

Ndërkohë, tregu po përballet me dy goditje të tjera. Frenimi i parasë informale: Agjentët raportojnë rënie të blerësve me para të padeklaruara, si pasojë e intensifikimit të hetimeve të SPAK-ut. Krizë për pronat luksoze: Për vilat, rezidencat në bregdet dhe kullat në kryeqytet nuk pritet rritje e kërkesës në muajt në vijim.

Shqiptarët nisën t'i shisnin shtëpitë dhe makinat në euro në vitin 2003 (duke zëvendësuar dollarin). Në vitin 2011 euro arriti rekordin prej 142.8 lekësh, por që prej vitit 2016 ka rënë me rreth 37%, duke detyruar tregun të kthehet sërish te leku.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit