Rezerva Federale sinjalizon rritje të mëtejshme të normave të interesit

Presidenti i Rezervës Federale të Nju Jorkut, John Williams, deklaroi të hënën se inflacioni i lartë dhe qëndrueshmëria e ekonomisë amerikane kërkojnë shtrëngim të mëtejshëm të politikës monetare, duke lënë të hapur mundësinë e rritjes së normave të interesit në mbledhje të njëpasnjëshme.
Deklaratat vijnë përpara takimit të Rezervës Federale më 8 dhe 9 dhjetor, ndërsa inflacioni në SHBA vijon të mbetet ndjeshëm mbi objektivin prej 2% të bankës qendrore.
Sipas Reuters, tregjet financiare presin gjerësisht një rritje të normës bazë të interesit me 25 pikë bazë në dhjetor, nga intervali aktual prej 3.75%-4%, të ndjekur nga rritje të tjera gjatë vitit 2027.
Rezerva Federale e rriti për herë të fundit normën e interesit në shtator, në kuadër të përpjekjeve për të frenuar inflacionin, i cili prej më shumë se pesë vitesh mbetet mbi objektivin e institucionit.
Williams theksoi se vendimet e ardhshme do të varen nga ecuria e treguesve ekonomikë, pa përcaktuar paraprakisht ritmin e ndërhyrjeve.
Gjatë javëve të fundit, disa drejtues të Rezervës Federale janë shprehur në favor të shtrëngimit të mëtejshëm monetar. Ndërsa një pjesë mbështet rritjen graduale të interesave, anëtari i Bordit të Guvernatorëve, Christopher Waller, ka sinjalizuar gatishmërinë për një ndërhyrje më agresive, prej 50 pikësh bazë.
Williams parashikon që inflacioni amerikan të arrijë në 3.5% në fund të vitit 2026, përpara se të ngadalësohet në një nivel pak mbi 2% gjatë vitit 2027. Rikthimi në objektivin e bankës qendrore pritet të ndodhë në vitin 2028.
Sipas tij, tarifat doganore mbi mallrat e importuara, çmimet e larta të energjisë dhe kërkesa për produkte teknologjike të lidhura me inteligjencën artificiale kanë qenë faktorët kryesorë që kanë ushqyer presionet inflacioniste.
Ndërsa ndikimi i tarifave mbi çmimet është zbehur, pasiguria për kostot e energjisë mbetet e lartë. Paralelisht, zgjerimi i investimeve në inteligjencën artificiale ka rritur ndjeshëm kërkesën dhe çmimet e gjysmëpërçuesve dhe komponentëve të tjerë teknologjikë.
Pavarësisht presioneve mbi çmimet, Williams mbetet optimist për perspektivën e ekonomisë amerikane, duke parashikuar një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej rreth 2.75% si në vitin 2026, ashtu edhe në vitin 2027.
Investimet e bizneseve në teknologji, rritja e produktivitetit dhe konsumi i familjeve me të ardhura të larta kanë mbështetur zgjerimin ekonomik. Në të kundërt, investimet në ndërtimin e banesave dhe në struktura që nuk lidhen me inteligjencën artificiale janë dobësuar gjatë tremujorëve të fundit.
Tregu amerikan i punës vazhdon të paraqitet i qëndrueshëm. Williams pret që norma e papunësisë, aktualisht në 4.1%, të zbresë në rreth 4% gjatë vitit të ardhshëm.
Ai nënvizoi gjithashtu se nuk ka evidencë që rritja e pagave po ushqen presione shtesë inflacioniste, ndërsa pritshmëritë afatmesme dhe afatgjata për inflacionin mbeten të qëndrueshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









